Jericho, është një prej grupeve me muzikën më unike të dëgjuar më parë në Kosovë, Shqipëri e më tej. Të gërshetosh rock-un me tinguj tradicional ngjason gati si një koncept që djemtë duken se e kanë këpërcyer duke e zbritur në tokë apo mendjen e gjithësecilit. Instrumentet orientale siç është tupani apo kavalli, të përzjera me tekstet në gegnisht një pjesë e të cilave na kujton poemat tona epike, e bën këtë grup të trajtojë të thëna dhe të pathëna si një paralele e realitetit që jetojmë.
Petrit Çarkaxhiu, vokalisti i Jericho’s ka transmetuar gjithmonë problemet e popullit shqiptar në muzikë apo vargje të këngëve, të cilat publiku i ka përqafuar gjithmonë me të njëjtën dashuri.
“Nëntori i ftohtë” për shembull, është një titull që për Çarkaxhiun (këngë e publikuar me rastin e 100-të vjetorit të pavarësisë së shtetit Shqiptar) erdhi si pasojë e mos informimit dhe injorancës së popullit për këtë datë të rëndësishme, mirëpo edhe për gjendjen e atëhershme në të cilën gjendej populli ynë.
Kjo këngë është e ndarë në tri pjesë, ku pikërisht pjesa e parë flet për 28 nëntorin e 1912-ës, ku, sipas Petritit ishte viti më i vështirë i popullit shqiptar, sidomos për ata të cilët u ndanë me forcë nga Shqipëria.
Ndërsa këtë vit do të jetë një tjetër nëntor. Kënga e re, e cila pritet të thyejë rekorde në audiencë vjen përmes penës së tyre dhe të madhit Dritëro Agolli. “Ëndërr e prerë” është një poezi e poetit e cila shpreh shumëçka dhe Jericho, fundin e kësaj poezie e krahason me vetë thelbin e këngës.
Por mungesa e një prej anëtarëve më të rëndësishëm të bandës, ajo e Suadit i cili ndërroi jetë vetëm këtë vit, ndjehet pafund. Për Konica, Petrit Çarkaxhiu, rrëfeu se kjo ishte një nga ngjarjet më të dhimbshme të kaluara më parë.
⁃ Si është duke e përjetuar grupi edhe ju, boshin që la Suadi?
P. Çarkaxhiu: Suadi është për ne e sidomos për mua, shumë më tepër se vetëm basist i grupit. Ai është miku im i jetës, shoku me të cilin ndava momentet më të vështira dhe më të bukura të jetës. Mbi të gjitha krenohem qe e pata shok një njeri të tillë, një shpirt të dëlire, gjithmonë i qeshur dhe i afërt. Një njeri që si askush tjetër i dha kuptimin e plotë fjalës shok. Ndarja e tij për ne është shumë e dhimbshme. Dhe mungesa e tij e madhe mirëpo edhe shpresa vazhdon të jetë e madhe meqënëse shoku është pasqyra e njeriut.
⁃ Po sa i takon muzikës?
P. Çarkaxhiu : Suadi ka qenë një muzikant shumë i talentuar dhe njohës i mirë i trendeve muzikore. Mbi të gjitha ka qenë një person i ndjeshëm, gjë që e ka bërë të jetë i jashtëzakonshëm si muzicient, jo për shkak të vijave teknikisht të pasura melodike sa për bukurinë dhe thjeshtësinë e saktë që kishin nevojë arnazhimet e kengëve në bas-kitarë. Me siguri që mungesa e punes së tij do të jetë e madhe në orkestrimet e këngëve të ardhshme të Jericho’s!
⁃ Sa i vështirë është gërshetimi që keni zgjedhur për krijimin e muzikës tuaj?
P. Çarkaxhiu : Rocku është i gjerë dhe ka hapësiren e vet të gërshetimit me zhanret e tjera muzikore, ndërsa folklori shqiptar është epik. Plot jetë e shpirt, shpesh rrebelues prandaj edhe shumë i përshtatshëm për t’u gërshetuar me rrokun! Sikur nuk kemi nevojë fare të lodhemi, vetë folklori ynë na çon tek “rifet” e rënda te kitarave të rrokut dhe bateritë e fuqishme që aq bukur e natyrshëm kombinohen me daullet tona.
⁃ Çfarë peshe ka fjala në këngët e tua?
P. Çarkaxhiu: Fjala është më e fuqishmja sepse nuk është thënë edhe kot “në fillim ishte fjala”. Prandaj një kujdes i veçantë i kushtohet asaj çfarë themi apo çfarë përçojme tek dëgjuesit me tekstet tona. Të thuash diçka publikisht është përgjegjësi e madhe, aq më tepër kur ajo përçohet nëpërmjet muzikës. Ky i fundit një medium aq depërtues në mendjen dhe shpirtin e njeriut. Për këtë arsye në shumë raste jemi pishman pse kemi thënë atë çfare kemi thënë. Përfundimisht heshtja është me e dobishme dhe me fisnike.
Nga Ilnisa Agolli