MENU
klinika

"Rama dështoi"

Basha: Situata është dhjetëra herë më e rëndë

23.04.2020 - 16:39

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli në një lidhje me “Skype” për News24 për situatën e krijuar nga përhapja e koronavirusit, duke akuzuar qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e kësaj situate.

I pyetur nga gazetarja në studio, nëse do të nisë një aksion opozitar për të nxjerrë vendin nga kriza, Basha tha se opozita është në aksion që në ditën e parë të përhapjes së koronavirusit në Shqipëri.

Sipas kreut të PD, opozita është në krah të qytetarëve dhe po i bën presion qeverisë, që të zbatojë propozimet e saj.

I pyetur se çfarë ka ndërmend opozita të bëjë, Basha tha : Ne prodhuam 5 hapat, që sipas nesh, përbëjnë daljen e vendit nga kriza. Këto pesë hapa i kemi ndërtuar në bashkëpunim me ekspertizën e vendeve, që po korrin sukses në këtë periudhë. Hapi i parë është të dimë ku ndodhemi realisht. Duhen bërë më shumë testime për këtë. Është gënjeshtër që OBSH të ketë thënë mos të bëhen teste. Unë i kam kërkuar SHBA, BE, por edhe OBSH të nda ndihmojnë për testimin. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Sa më shumë teste të bëhen, aq më shumë të infektuar do të ketë.

Situata është shumë më e rëndë në përhapjen e përmasave të infeksionit dhe dhjetëra herë më e rëndë në katastrofën ekonomike, sepse familjet nuk kanë marrë mbështetje. Qeveria ka para, por Rama ka vendosur që këto para të vazhdojë t’ua lërë në duar dhjetë oligarkëve. Ky është problemi. Ndodhemi sot në një situatë që nuk ka të ngjarë me asnjë vend të rajonit. Shqipëria është vendi ku qeveria nuk ka ngritur as gishtin më të vogël për të ndihmuar familjet, biznesin, por i ushqen me lugë bosh, për të shmangur dështimin total.

“Nga Surreli është vështirë të mbrosh të varfrit apo të ndjesh dhimbjen e tyre. Mjafton të hapë ekranet dhe të dëgjojë ato zonjat në Korçë. Sot ka dy bashki që i janë shtuar hartës së infeksionit, kam disa javë që ja kërkoj të mbyllë fasoneritë, por nuk i mbylli. Prandaj, nga Surreli e ka të vështirë të ndjejë dhimbjen e njerëzve. Nuk mund të ngopen me premtime bosh nënat e vajzat, që punojnë në fasoneri. Jemi qindra hapa pas, sepse kemi qeveri të papërgjegjshme’, shtoi kreu i demokratëve kur u pyet se çfarë do të bënte opozita.