MENU
klinika

Paralajmërimet

Kina ka nisur “luftën” edhe me BE-në?

26.04.2020 - 15:38

Kina i “është ankuar” BE-së, të paktën tre herë dhe ka paralajmëruar se marrëdhëniet bilaterale do të preken nëse blloku e akuzon publikisht atë për përhapjen e propagandës lidhur me krizën e koronavirusit, sipas zyrtarëve evropianë.

Qeveria komuniste thuhet se i ka bërë paralajmërimet javën e kaluar pasi dolën detaje për një raport të brendshëm të BE, që tregonte prova që Pekini përdor “taktikat e fshehta” në një “fushatë globale të dezinformimit” për të shmangur fajin dhe përgjegjësinë për pandeminë.

Presioni diplomatik thekson reagimin e Kinës ndaj akuzave të Evropës se po përpiqet të përdorë situatën për të  shkaktuar përçarje dhe për përfitime strategjike.

BE publikoi disa elemente të raportit të brendshëm të dezinformimit.

Paralajmërimet nga Pekini erdhën pasi organizata e lajmeve Politico raportoi disa pjesë nga raporti i dezinformimit të BE të martën.

Një ankesë u bë nga këshilltari politik në selinë e shërbimit diplomatik të BE në Bruksel dhe dy nga ministria e jashtme kineze në Pekin, thanë zyrtarët evropianë.

Wang Lutong, drejtori i përgjithshëm i ministrisë së jashtme kineze për Evropën, e quajti Nicolas Chapuis, ambasador të BE në Pekin, zyrtarë evropianë njoftuan për këtë çështje.

Wang mohoi që Kina po përhapte dezinformata dhe tha se ai ishte i alarmuar nga raportet e bllokut evropian.

Ai tha se nëse BE do të ndiqte SHBA-në, ajo do të përfundonte si SHBA, duke shtuar se kjo do të ishte për të ardhur keq.

Chapuis u përgjigj se ishte detyrë e BE që të dokumentonte dezinformimin nga Kina dhe vendet e tjera, duke shtuar se një aktivitet i tillë duhet të kundërshtohet dhe të ndalet, thanë zyrtarët evropianë.

Ministria e jashtme kineze nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Presioni kinez shkaktoi një mosmarrëveshje në Bruksel gjatë procesit të redaktimit të një buletini publik bazuar në raportin e brendshëm të dezinformimit, sipas New York Times dhe FT.

Një analist ngriti shqetësimin se ndryshimet e bëra treguan “gatishmërinë e dukshme të BE-së për tu vetë-censuruar “.

Buletini i botuar të premten përfshin akuzat e “operacioneve të fshehta kineze në mediat sociale” dhe përpjekjet e zyrtarëve kinezë dhe mediave shtetërore për të pakësuar herët që përmendet qyteti i Wuhanit si origjina e Covid-19.

Referenca në raportin e brendshëm për një “fushatë globale të dezinformimit” nga Kina nuk u paraqit në versionin publik.

BE këmbënguli se nuk ishte gjunjëzuar ndaj presionit politik për të  ndryshuar përmbajtjen e dokumentit të botuar.

Ai tha që buletini ishte produkt i një procesi normal të redaktimit, duke shtuar se i kushtoi “vëmendje të veçantë” për të siguruar  shprehjet dhe fjalët “e padisponueshme”.

Përkthyer dhe përshtatur nga Financial Times/ konica.al