Industria nxjerrëse pritet të pësojë një goditje serioze nga kriza e ekonomisë botërore për shkak të pandemisë së Covid-19. Raporti ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, që u publikua këtë javë, parashikon një efekt të fortë në këtë sektor nga rënia e kërkesës globale. Kjo pritet të sjellë çmimet më të ulëta të lëndëve të para dhe të mallrave në përgjithësi. Veçanërisht, ulja e çmimeve të naftës pritet të sjellë rënia të eksporteve shqiptare, çka do të reflektohet edhe në të ardhurat fiskale.
Të enjten Ministrja e Energjisë deklaroi në Kuvend se Albpetrol ka ndërprerë nxjerrjen e naftës, sepse ulja e kërkesës ka paralizuar shitjet dhe ndërmarrja nuk ka më depozita të lira për të mbajtur prodhim të ri nafte. Rënia e fortë e kërkesës në tregjet botërore për shkak të pandemisë solli bllokimin e kapaciteteve magazinuese dhe i uli çmimet e naftës në vlera negative gjatë muajit prill. Me të njëjtin problem pritet të përballet edhe prodhuesi më i madh në vend, bankers Petroleum.
Sipas skenarit bazë të Bankës Botërore, eksportet shqiptare pritet të bien me 25% këtë vit dhe efekti do të jetë i përqendruar kryesisht në sektorin e mineraleve dhe atë të fasoneve.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për 11 mujorin e vitit të kaluar, Shqipëria eksportoi rreth 746 mijë ton naftë, për një vlerë totale 30 miliardë lekë ose rreth 245 milionë euro. Dy produktet e tjera të rëndësishme të sektorit minerar në Shqipëri, kromi dhe çimentoja, për të njëjtën periudhë gjeneruan eksporte në vlerën e 15.5 miliardë lekëve ose rreth 126 milionë eurove.