MENU
klinika

Komunikimi i ministres Shahini me rektorët

Universitetet afat deri më 15 maj për planin e rikthimit në auditore

04.05.2020 - 19:43

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka publikuar një video-komunikim për të gjithë rektorët e universiteteve, ku i kërkon atyre që deri më 15 maj të bëjnë gati planin e masave të kërkuara nga Ministria e Arsimit.

Rektorët e universiteteve duhet të planifikojnë lëndët që mund të mbyllen online për këtë vit, numrin e studentëve që do duhet të kthehen në laboratore ose auditore përpara provimeve si dhe numrin e studentëve që do duhet të japin provim në korrik dhe fillim gushti.

“Urdhri për marrjen e masave për mbylljen e vitit akademik 2019-2020, kërkon nga univeristetet që të fillojë një planifikim urgjent dhe serioz për mbylljen e vitit akademik në kushtet e jashtëzakonshme që po punojmë. Situata me përhapjen e koronavirusit po shkon drejt përmirësimit nga dita në ditë, por nuk jemi ende plotësisht jashtë rrezikut, ndaj çdo hapje e pjesshme e universiteteve, duket të përcillet me protokolle strikte të ruajtjes së pedagogëve dhe studentëve. Ndaj kemi kërkuar nga universitete, që të planifikojnë ato lëndë që do duhen të mbyllen online, sa është numri i studentëve që kanë nevojë të kthehen në auditore dhe laboratore para provimeve, dhe sa është numtri i studentëve që do bëjnë provime gjatë korrikut dhe fillim gushti të këtij viti. Gjithmonë duke prioritizuar studentët që do të diplomohen. Universitetet do i sjellin këto plane deri më 15 maj. Dhe më pas ne bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë do bëjmë verifikimet për të parë nëse po plotësohen kushtet për ruajtjen e studentëve dhe pedagogëve, gjatë kohës që do punojnë në këto universitete. Nuk ka paqartësi. Unë kam komunikuar sot me rektorët e universiteteve publike. Të gjithë kanë filluar punën për realizimin e këtyre planeve. Përkundër një keqinterpretimi të qëllimshëm të opozitës gjatë kësaj fundjave”, tha Besa Shahini.