Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se futbolli mund të niste në gjysmën e dytë të majit dhe menjëherë Liga e futbollit gjerman vendosi datën përfundimtare. Të shtunën e 16 majit do të rinisë Bundesliga, ku në orën 15:30 do të luhen 5 ndeshjet e para, ku spikat derbi i Ruhrit, Borussia Dortmund-Schalke 04.
Liga mblodhi 36 klubet e dy kampionateve, Bundesliga dhe Bundesliga 2, dhe drejtuesit vendosën që ndeshjet të nisnin fundjavën e ardhshme, me qëllimin për të mbyllur sezonin brenda fundit të qershorit. Vendimi u kundërshtua nga klubi i Werder Bremen, i cila ishte kundër datës 16 dhe kërkonte 22 majin për rifillimin.
Por ngaqë 35 klube të tjera ranë dakord për 16 majin, propozimi i Werder Bremen nuk u mor parasysh. Meqë ky klub u ankua për kohën e paktë për t’u bërë gati, do të luajë të hënën e 18 majit, teksa do të presë Bajer Leverkusen në ndeshjen e fundit të javës së 26-të.
U vendos gjithashtu që dy javët e fundit të luheshin në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë për të shmangur kompromiset e mundshme. Ndërsa finalja e Kupës së Gjermanisë do të zhvillohet në korrik, por data ende nuk është fiksuar.
Dy ditë para çdo ndeshje, të gjitha klubet janë të detyruara të kryejnë edhe njëherë testet për Covid-19. Gjithsesi, nëse do të ketë ndonjë rast, nuk do të bëhet i ditur emri, thjesht do të karantinohet dhe ndeshja do të vijojë normalisht.
JAVA 26 E BUNDESLIGAS
E SHTUNË, 16 MAJ, 15.30
Borussia Dortmund – Schalke 04
RB Leipzig – SC Freiburg
TSG Hoffenheim – Hertha BSC
Fortuna Düsseldorf – SC Paderborn
FC Augsburg – VfL Wolfsburg
ORA 18.30
Eintracht Frankfurt – Borussia Mönchengladbach
E DIEL, 17 MAJ, 15.30
FC Köln – FSV Mainz 05
ORA 18.00
Union Berlin – Bayern München
E HËNË, 18 MAJ, 20.30
Werder Bremen – Bayer Leverkusen