MENU
klinika

Nga ekonomisti Iljas Mehmeti

Recesioni dhe Konsumi!

08.05.2020 - 11:30

Lufta të mos ulet konsumi brenda vendit !
Lufta të mos shkatërrohen vendet e punës !
Lufta të mos arrijë ekonomia në kolaps !
Lufta të mbështetet çdo prodhim vendas !
Lufta të mështëtet bujqësia dhe të garantohet nëpërmjet çmimit fitimi i fermerëve si çdo degë e ekonomisë !

Mjekët e përballuan mirë gripin famkeq COVID 19, MERITOJNË VETËM URIME. Radhën për të përballuar pasojat e virusit e kanë profesionet e tjera për të shëruar ekonominë edhe pse e ardhmja është e gërshetuar me të panjohurat, qoftë nga kohëzgjatja e virusit, por edhe obligimi i masve për të kaluar pasojat e ndalimit të aktivitetit dhe kthimin sa më shpejt i jetës në normalitet në vend.

Prognozat e ekspertëve vëndas, parashikimet e Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë evidentojnë dukshëm, se Ekonomia Shqiptare është në recension, qoftë nga efekti i COVID 19, por edhe nga pasojat e termetit të 26 Nëntorit 2019.
Rënia e ekonomisë në recesion, kërkon tërësi operacionesh që cojnë njëherazi frenimin e rënies së mëtejshme të ekonomisë dhe njëherazi marrjen e pozicioneve që çojnë në fillimin e ngritjes ekonomike. Për fat, ekonomia e vendi, nuk është e ekspozuar drejtëpërdrejtë në Bursë, nuk ka humbje të drejtëpërdrejta kapitalesh,ndaj parashikohet që recensioni të ketë kohë më të shkurtër, por duhet pranuar se ekonomia do të ndikohe nga lidhjet e zinxhirit të ekonomisë, import dhe eksportit me botën, që detyrimisht e shtyn vendin në rrjedhën e recesinit.

Kudo në botë përpjekjet synojnë që koha e recesionit të jetë e shkurtër dhe me efektet sa më të vogla social ekonomike. Të paktën, këtë radhë, duhet të ecim në unison me mendimin e përparuar ekonomik të menaxhimit të krizave. Përvoja botërore e krizave ka shtuar për secilin brez gjetjen e rrugëve për kalimin e tyre. Në kohën e sotme, teoritë e mendimtarëve të shkollave të ndryshme, që nga Kesnej, Shkolla Austiake, Shkolla e Fridmanit, etj i kanë dhënë njerëzimit aq variante zgjidhjeje për kalimin e krizave edhe pse shpesh krizat janë shpeshësuar këto 100 vitet e fundit të cilat kanë shkurtuar ciklin kohor të recesionit. E fundit, në brezin tonë, kriza e 2008 u mbështet në këto teori, u veprua me guxim nga qeveritë së bashku me organizmat ndërkombëtare, si FMN, BB etj, duke arritur në ngritje e ritmeve të zhvillimit. U gërshetua ndërhyja shtetërore më prezente, më mbështetëse me politikat monetariste, tatimore, doganore dhe stimuluese për cdo inovacion ,të cilat së bashku rritën kërkesat agregate për prodhim dhe konsum. Ekonomia Amerikane dhe Europiane dolën nga kriza e 2008, jo me ulje të shpenzimeve në tërësi, nuk uli konsumin e drejtëpërdrejtë, nuk uli as pagat dhe pensionet, por rriti të mirat publike, në funksion të inavcionit,të konkurushmërisë së tregut dhe ekuilibrit të tij duke hapur punë publike që nxisin konsumin, për rrjedhojë xhirimin e ekonomisë prodhuese. Ky mendim ekonimik , i kalimit të krizave , ka gjetur jetë që nga viti 1933.

Realiteti ekonomik i vendit kërkon urgjentisht të pranohet që recesioni ekziston, që masat e marra deri tani në aspektin finaciar e monetar janë mbështetëse, por jo vendmitare, pasi duhen bërë minimalisht dy gjëra. Të rregullohen gjërat e bëra gabim deri sot në reformat ekonomike, ku të ardhurat e buxhetit janë bazuar te trau i dognës dhe tatimet, duke mos stimulur prodhimin vëndas dhe ana tjetër të mendojmë për të rritur konsumi, me shtesa të punëve publike, të pagave dhe pensioneve ,shoqëruar këto me shtesë investimesh e mjete monetare të kontrolluara e të mirëmendura, të cilat sjellin qetësi sociale dhe produktivitet në shkallë vendi.

Historia njerzore ka treguar se zhvillimi i mendimit dhe i mirëqënies nuk është i njëllojtë në tërë vendet. Brezat e sotëm të shqiptarëve këtë realitet e shohin, si diferencim në zhvillimi ekonomik dhe jetësor dhe janë të shqetësuar ndaj joshen dhe kërkojnë jetë me të mirë. Kuptohet recensioni është një fjalë që mudet të përkthehet “shtrëngim rrypi” e cila për shqipatarët do ishte e rëndë të ndodhte. Ndaj kthimi në aktivitet normal i cdo iniciative private kërkon që ne të bëjmë disa gjëra që ose nuk i kemi bërë kurrë si vend, ose i kemi bërë gabim, ose janë bërë me ndikimin individual nga pozita e pushtetit.

Në botën e qytetëruar, në Europën e Bashkuar ku synojme të shkojmë , që nga themelimi i shkollës Menaxherjale rreth viteve 1960 e deri sot është luftar që e mira e privatit dhe e shtetit të çojë në rritjen e mirqënjes së popullit. Kjo është realizuar me edukatë pune, me kualifikim, me paga të lartë duke sjellë produktivitet dhe zhvillim të qëndrushëm. Ka mbizotëruar koncepti që zhvillim ekonomik i suksesshëm është kur ka rritur konsumin e njerëzve duke barazuar konsumin e brendëshëm njëlloj si produktet për eksport.

Si ekonomist, nuk më vjen mirë që vendi im ende të mos kuptojë se difekte në paga po joshin njerëzit të lënë vendin, shtëpitë familjet, çdo gjë, jo vetëm nga puntonjësit e thjeshtë, por vitet e fundit largohet edhe ajka e kombit, intelektual, specialist dhe më shumë të rinjë te mirëshkolluar. Pozitive është hapja e rrugës legale të punësimit në Greqi, por më vjen keq, se fshatari jonë lë tokën e tij djerr dhe sheh me vlerë punën në një vënd tjetër! Kjo është një nga çështjet më të mëdha të kombit që kërkon zgjidhje ! Nuk i qëndroj konceptit patriot, por është e mundur që mirësinë njerëzit e kombit së shqipeve ta gjejnë në trojet e tyre! Kështu veprojnë gjithë kombet qoftë edhe të vogla. Ndaj , rivlerësimi i punës, si çdo lloj tjetër mall tregu është ndër hapat e para që duhet të merren qoftë edhe nga efektet që zgjoj koronovirusi . Bota ka 220 vjet që rivlerëson punën, pasi vetë koha e teknologjia kërkojnë cilësi pune e pagë të lartë, si instumeti themelor i rregullimit të konsumit, i cili nxit prodhimin, kursimin dhe investimet.

Recesioni sipas mendimtarëve, do ndikojë edhe në politikat ekonomike të faktorëve të fuqishëm në botë. Nëse ndodh është normale, por ne si vend si duhet t’i përgjigjemi me prodhimin vëndas, me vështirësitë e eksportit, me rishikimin e tërë gjërave të bëra që nga 1991 e deri më sot, ku humbëm shumicën e tregut nga gabimet e mënyrës së ndërtimit të ekonomisë në konceptin e ekonomisë së centalizuar para vieve 90-të. Pytjet janë të shumta, kush janë projektet a ka studime, a do ketë orientime që burimet e brendshme të thithin tëre forcat e aftë për punë, sidomos të rinjë dhe specialstët, me qëllim që produktivitei të mbetet në Shqipëri. E keqja që solli koronavirusi, përballimi nga kombi ynë bën imperative të bëjmë ato gjëra që nuk i kemi bërë mirë.

Prognoza që eksportet do vështirësohen nga kërkesa, turizmi do të ketë rënie, industria prodhuese e aktiviteti shërbimit do të përballet njëherazi me rënie kërkese dhe rritje çimesh, si trendi i efekteve të Covid-it në botë. Kryesisht efektet më të ndjeshme do jenë në prodhimet ushqimore dhe ato jetësore, të shoqëruara me tkurrje të të hyrave nga emigrantët , ulje të shpenzime nga konumatorët e vendit, kryesisht për blerje shtëpish ose pronash, këto e të tjerë cojnë në ulje të ardhurash publike. Ky realiteti, zbutet nëse luftohet kundër shkurtit të vendeve të punës, pa prekur pagat e shpenzimesh në tërësi, por duhet shoqëruar me hapje të reja punësh publikë nga qeveria së bashku me stimulimin dhe mbështetjen me mekanizma ekonomik të çdo prodhuesi vendas. Sidomos, bujqësia të mos mbetet në dorën e grandeve, por të mbështetet dhe t’i njihet ligjërisht kostoja e prodhimit, të prognozohen çmime bujqësore ku fshatri të sigurojë fitim, në çdo aktivitet të tij, si çdo sektor tjetër i ekonomisë. Të njëjtën gjë duhet të bëjë shteti edhe ndaj sektorëve që shfrytëzojnë lëndët e para vendase, përfshirë turizmin etj.

Kërkohet që masat që merren, duhet të mos jenë të copëzuara, pjesore, me zgjidhje sot për sot, por pak më afat mesme dhe të koreluara në bllok, pasi edhe ekonomia ka efekte njëlloj si viruse ndoshta edhe më shumë në jetën e njerëzve. Masat reformuese duhet të jenë me prioriteteve, por disa janë paraprirë sot, ndryshe nesër do jetë vonë dhe do ketë kosto më të lartë, qoftë për shtetin dhe individin. Rolin themelor në ringritjen ekonomike e ka si fillim shteti, ku veprimet masat në makro duhet përqëndruar në disa aspekte të cilat rrezatojnë shpejtë Mikro dhe me efekte të drejtëpërdrejta, pa e lënë që zinxhiri i vështirësive të çojë në falimetin qoftë edhe të një kompani të vetme. Disa nga masat që mendojmë e propozojmë të merrën krahas problemeve monetare, te likuiditetit e kreditimit janë:

Së pari: Eshtë imperative ngritja e institucionit të bilanceve. Me praktikën e sotme çdo gjë edhe në bilancim i është lënë tregut. Në praktikën europianë, të gjithë kanë bilance dhe kulturë bilancuese, pa cënuar tregun. Bëhet fjalë kryesisht për bilancet në natyrë të ushqimeve bazë të njerëzve dhe bagëtive. Theksoj këtë, se në horizont dalin disa shtete që frenojnë shitejen e grurit dhe të artikujve të tjerë! Ndaj, minimalisht artikujt bazë ushqimor, disa artikuj të rezevës si komb, duhet të hartohen dhe të agrantohen, si produkt, por mbi të gjitha edhe me çmim të pranueshëm në raport me pagat. Rastësisë dhe vetëm tregut këto gjëra nuk i lihen, se nuk i ka lënë shtete të fuqishme e jo ne! Kjo nuk ka lidhje me kopetencat përqënduese, por është politikë zhvilluese. Institucioni duhet të kordinojë bilancet në shkallë kombëtare. Kërkesa e Greqisë për punë sezonale lidhet më këtë koncept, pra ti shërbejmë zinxhirit agro-ushqimor. Për ne më mirë do ishte që fermeri të punonte tokën e tij, duke mbjellë misër ,perimë, ushqim për bagatinë, patate, fasule etj, ku shteti t’i garantojë blerjen e produktit me çmim që prodhuesin e nxjerrin me fitim. Ndryshe, ashtu si edhe sot këto produkte do blihen në import, në variantin nëse nuk ka kufizime, me efekte çmimesh që nuk dihet si do shkojnë! Duhet të jemi vizionar, larg frikës se kështu rritet konsumi i brendshëm si paga dhe shpenzime. Kjo është ndihma që kërkon bujqësia dhe që deri tani nuk i është dhënë !

Së dyti: E domosdoshme që në shkallë kombëtare çdo njësi ekonomike, pavarësisht nga klasifikimet biznes i vogël ose i madh, duhet të hartojë të paktën për dy vjet ecurinë e punës së vet me gjithë mosnjohjen e tërë efekteve që ka nga COVID 19. Njohja me realitetin,me vështirësitë, më problemet edhe pse me propabilitet të ulët, është orientimi më i saktë që i afrohet politikës vendimarrëse për të ndihmuar fimanciarisht bizneset, sidomos ato private. Motoja mendoj të jetë ‘asnjë punëtor të mos shkurtohet nga puna’, por të gjenden rrugët dhe modalitete që biznest të jetojnë. Këtë e bëjnë të gjithë në vendet e zhvilluara. Do kulturë menaxherjale, do angazhim specialistësh teknik, teknologjik, inxhinjerë, kimist, agranom, zotenik, mjek, farmacist,etj profesione së bashku me menaxherët e shkolluar të cdo niveli, të mendojnë për inovacione dhe zbatim teknologjish të përparuara që aktiviteti ekonomik të ringrihet,duke u mbështetur nga ana financiare dhe kreditimi. Kjo rrugë është më ekonomike në hedhjen e parasë shtesë në jetën e biznesit.

Së treti: Recensioni është prezent, si Koronaviruesi që erdhi pa u ndjerë. Ai duhet të përballohet, pa e lënë që piku i gjërave të dalë jashtë kontrollit. Masat që i ka marrë bota, duke plotësuar sasinë e monedhës në qarkullim, duke i kompesuar shpenzimet biznesit për të mos e lejuar në vështrësi e në falimetim, krahas paketave të ndihmës për të ndalurit nga puna, jo vetëm që do rrisë konsumin, si i vetmi instrument që e kalon më shpejt rënjen e prodhimi, por nxit iniciativat për të shkurtuar edhe kohën e rritjes. Si vend i vogël ndërhyrjet japin efektet të dukshme e të shpejta nëse punohet në vazhdimësi për të rritur konsumin. Mendimi ekonomik i rritjes së konsumit agregat, ka të domozdoshme plotësimin monetar në treg, duke rritur si shpenzimet dhe pagat, qoftë edhe për të hapur një etapë që patjetër do të kalojë ekonomia jonë edhe si kërkesë e integrimit sa më të mirë në rrugën për në Europë. Vetëm kështu, shqiptarët të mos boshatisin vendin, qoftë edhe nga efekti i vlerës së ulës së punës, pagës, mallit më të “pa vler” në vend ndaj botës së qytetëruar. Apeli është i thjeshtë! Kujdes më i madh ndaj riqarkullimit të kapitalit, të kursimeve, ekulibër treguesish ekonomik, të bazuar në iniciativen e lirë, në inovacion ku kërkesë oferta të balancohet në një ekuilibër të ri më të lartë.

Së katërti : Shteti duhet të hapë punë të mëdha publike,qoftë edhe duke rritur borxhin publik. Kjo situtë që kërkon rritjen e konsumit justifikon cdo gjë. Nëse do ketë projekte gati ja vlen që të hapej një kantjer i madh që kërkonte mbi një miliard euro për ndonjë aks rrugor, si ai nga Tiranë në Kakavijë,etj. Politika shtetërore të mos i trembet rritjes së shpenzimeve kapitale dhe pagave, pasi pagat i paguan produkti e jo pronari, se hapja e fronteve të reja të punës i bën të gjithë më të kënaqur. Ndaj të futemi në atë rrugë që ka kaluar kapitalizmi që nga 1800 e deri më sot, ku ka provuar tërë rrugët e progresit dhe i ka gjetur vetëm me vende të reja pune dhe rritje të ardhurash direkte dhe të mirave publike indirekte. Kështu ky popull të gëzohet në jetë reale, pasi ka shumë depresion dhe mosbesim!

Tiranë, më 07.05.2020                                                                                                Ish.Ministër, Ekonomist Iljas Mehmeti

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!