Letra të shumta në adresë të shteteve të ndryshme, eurodeputetëve dhe mekanizmave që janë të thirrur për interpretime të çështjeve, ka nisur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që prej rrëzimit të Qeverisë me mocion mosbesimi në Kuvend. Ato janë letra informuese dhe denoncuese për presidentin Hashim Thaçi, pas vendimit të tij që ta kapërcejë partinë fituese duke ia dhënë mandatarin Lidhjes Demokratike, me të nominuarin për kryeministër Avdullah Hoti.
Kurti ka nisur letra të shumta edhe për temën e dialogut, temë që vazhdon ta përçajë spektrin politik. Njohës të rrethanave thonë se praktika e prezantimit të qëndrimeve të ndryshme nga liderët e dëmton pozicionin e Kosovës, raporton KOHA.
Së fundi, Kurti i është drejtuar me një letër Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Në atë letër ai shkruan se presidenti Hashim Thaçi, i mbështetur nga disa parti, po improvizon një skenar antikushtetues.
“Me arsyetimin se kushtet që duhet përmbushur për organizimin e zgjedhjeve nuk ekzistojnë, presidenti, i mbështetur nga disa parti politike, ndërmori një seri veprimesh duke u përpjekur të improvizojë një skenar antikushtetues. Ky është një veprim antikushtetues, i cili shkel edhe qëndrimet e kryetares së Kuvendit, zonjës Vjosa Osmani”, shkruan në letrën e Kurtit, të cilën e ka publikuar KOHA.
Kurti ka shtuar se Gjykata Kushtetuese gjithashtu ka theksuar se presidenti nuk ka të drejtë të marrë iniciativa në lidhje me formimin e Qeverisë.