Në Gjermani duket se duan t’u shkojnë deri në fund sa u përket aktiviteteve futbollistike, të paktën në dy ligat kryesore. Këtë fundjavë më në fund do të kemi futboll dhe është pikërisht Bundesliga, që rinis aty ku e la para pandemisë.
Por do të vijojë edhe një tjetër aktivitet. Është zyrtare se edhe Kupa e Gjermanisë do të përfundojë, madje janë zbardhur edhe datat e ndeshjeve. Kompeticioni i dytë për nga rëndësia në vend ka arritur në fazën gjysmëfinale dhe mbeten edhe vetëm tri ndeshje për të përcaktuar fituesin e këtij edicioni të pazakontë.
Dy sfidat gjysmëfinale, Saarbrucken-Leverkusen dhe Bayern Munchen-Eintracht Frankfurt, do të luhen në datat 9 dhe 10 qershor, ndërsa finalja do të marrë kohë dhe do të zhvillohet më datën 4 korrik. Kështu, mësohen edhe fatet e zhvillimit të futbollit gjerman, që është shumë para vendeve të tjera.