MENU
klinika

PIKTORI SHKODRAN

Pjerin Sheldija, Mikelanxhelo i kishave

03.10.2018 - 18:51

Nga Andreas Dushi

Sa herë vjen në Shkodër, nuk mund të mos ndalosh në të paktën një kishë.Hyrja e qytetit shënjohet nga Kisha e Zojës, ndërsa qendra nga Katedralja. Edhe fshatrat, secili prej tyre ka nga një kishë e cila është aq e rëndësishme për fshatin, sa vështirë të kuptohet nëse ajo i shërben fshatit, apo fshati është ndërtuar aty falë saj.

Lidhja e vendit me kishën si traditë me gjenezë biblike qysh prej ardhjes së Shën Palit në Iliri, traditë e cila shihet edhe nga toponimet si Shën Gjergj, Rrnec (shkurtim i Shën Lorenc) e të tjerë ruhet akoma edhe sot, pavarësisht dëshirës së komunizmit për ta shkëputur me rrënjë në disa dekada dhune dhe frike.

Si më e rëndësishmja godinë e një vendi, kishat kanë nevojë për hijeshi dhe bukuri. Të tillë punë ka prej më tepër se 25 vitesh që e bën piktori i njohur shkodran Pjerin Sheldija.

Peneli i mjeshtrit të ngjyrave ka lënë gjurmë në thuajse çdo kishë të Shkodrës, fshatrave dhe maleve përreth. Me një vullnet të çeliktë dhe punë shembullore, Sheldija është kthyer në Mikelanxhelon e kishave shqiptare.

Në biseda tepër miqësore që kam fatin të zhvilloj shpesh herë me të në vendin ku po punon një tjetër kryevepër, herë pas here i përlotur nga kujtimet, profesor Pjerini më thotë se qysh kur ka qenë fëmijë kishte vetëm një ëndërr: Të mundte një ditë të vizatonte ndër kisha. Sikurse mësuesi i tij Simon Rrota, ai iu përkushtua kësaj dëshire deri sa ia arriti.

Pas përfundimit të studimeve, Sheldija punoi si mësues në shumë shkolla të qytetit, duke nxjerrë një brez piktorësh që sot vazhdojnë të ecin denjësisht në rrugën e Shëldisë.

Vepra e tij shtrihet në një hark kohor prej mëse 60 vitesh. Fillimisht, me të mbaruar studimet, punoi ndër agjencitë e kohës ku, i detyruar nga tematika të diktuara prej pushtetit, vizatoi “djallin vetë”, sikurse shprehet. Edhe gjatë asaj periudhe, piktura e tij u vlerësua shumë si e ndryshme nga ajo e njëtrajtshmja e realizmit socialist.

Duke qeshur, kujton një histori shumë interesante për atë periudhë:

Isha i detyruem me vizatue diçka për Pavarësinë. Nuk dosha me ba ngirtjen e flamurit në Vlonë, mbasi ate e bashin te tanë. Kështu, bana ngritjen e flamurit në Shkodër, nji vjet pas atij të Vlonës. Sikurse dihet, në Shkodër flamurin e ngriti Padër Prendushi. Por unë nuk mujta me e ba të veshun prift. Sa erdhi viti 90, gjeta ate pikturë me të cilën kisha ba nji padrejtësi që e kujtosha çdo ditë, dhe e vesha Prendushin prift.”

Ai e pranon se të tillë kompromise ishte i detyruar të bënte, pasi në të kundërt mirë që nuk do të lejohej të ushtronte artin e tij, por mund edhe të dënohej.

Ka pafund piktura që çdo “faj” të bërë me të tillë kompromise i’a zerojnë! Ndër to mjaft të përmenden “Mundimet e Krishtit”, 14 tablo të bëra kushedi sa herë për kushedi sa kisha, përfshirë atë të fretërve dhe vetë Katedralen e Shkodrës, kishën katolike më të madhe në Ballkan.

Afresket e bërë nga Sheldija mbërrijnë deri në Kosovë. Veçanti e punës së tij është ngjitja e elementëve kombëtarë personazheve biblikë. Me famë në Shkodër është “Zoja e Shkodres” veshur me kostum kombëtar, pikturë e realizuar nga profesor Pjerini.

Piktura e tij nuk e fsheh karakterin kombëtar. Me krenari, nëpërmjet artit Sheldija tregon se Shqipëria nuk ka përse të mbesë pas vendeve të tjera as në lëmin e pikturës.

Në moshë të thyer, me disa ndërhyrje në trup, sot punon një pikturë gjigante e cila do të mbesë gjatë në historinë e Shkodrës dhe Shqipërisë. Me këtë vepër dhe punën për realizimin e saj, Pjerin Sheldija bëhet shembulli se si me pasion dhe dashuri për atë që bën, mund t’ja dalësh të bësh gjithçka dhe se mosha nuk është gjë tjetër posë një numri.