Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka mohuar se i ka prishur raportet me kreun e Vetëvendosjes e kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, raporton Gazeta Express.
Në Interaktiv të KTV-së ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Konjufca ka thënë se raportet e tij me kryeministrin Albin Kurti janë më të mira se kurrë më parë.
Ai gjithashtu ka thënë se është e mundur që Vetëvendosje të arrijë t’i ketë 59 deputetë, kjo për shkak të thyerjes së madhe të demokracisë.
“Është plotësisht e mundshme në kohët kur ndodhin kësi ndryshime dramatike në Kosovë dhe ku shëndeti i demokracisë është para një rrezikimi të madh dhe kur ka thyerje të demokracisë të mëdha mund të ndodhë”, ka thënë ai.
Tutje ai ka folur edhe për reformat që po synon Besnik Bislimi në doganat e Kosovës.
“Reformat që i po i bën Besnik Bislimi është që të shuhen ato terminale që janë shndërruar në biznese dhe që do të zëvendësohen me njëlloj centralizimi të doganimit. Nuk e di kjo a i prekë persona të caktuar. Më duket se në një rast Mustafa e kishte shpjeguar se nuk kishte pronësi, por vetëm se punon, nuk e di me saktësi a e ka mohuar pronësinë apo të aksioneve”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka mohuar se ka përplasje ndërmjet tij dhe kryeministrit Albin Kurti. I njëjti shton se kjo është propagandë e teori e shpikur.
“Raportet janë më të mira se kurrë. Jemi më afër se kurrë, më të fuqishëm se kurrë më parë. Unë kryeministrin Kurti e takoj mesatarisht katër herë në javë, shkoj në kryeministri bisedojmë për problemet e Kosovës dhe të gjitha këto që i keni dëgjuar ne media janë spekulime. Dua të sigurojë qytetarët se raportet tona janë të shkëlqyera, nuk kemi kurrfarë kundërthëniesh për mënyrën se si duhet të ecim përpara, për mënyrën se si i konceptojmë problemet e Kosovës. Unë e kam fushën time tash jam ministër, ai kryeministër dhe raportet tona janë shumë të mira. Faktikisht unë nuk i quaj këto që i keni parë në disa portale lajme, këto ishin pyka, lajmi është ndryshe, do portale shesin pyka dhe unë mendoj se këto pyka nuk janë pa pare.
Propaganda që një mashineri e tërë punëtorësh marrin rroga dhe marrin për diçka të tillë me bo si propagandë dhe të pavërtetë të cilën më detyrojnë pa nevojë me demantu portaleve të ndryshëm që mi numërojnë edhe ditët faktikisht jam bo qaq i rëndësishëm që po mi numërojnë edhe dita e 12 – 13 kur flas apo nuk flas, nuk jam këtu me ju dhënë arsyetime, po propaganda kurrkund në botë nuk është gratis, kushton, kushton dhe në Kosovë, nuk e di kush është në gjendje me hargju këto qindra mijëra euro për me shpik një pykë që nuk e ka efektin as sa fija e kashtës. Është shqetësim i panevojshëm për disa qytetarë. Shpiken teori që nuk jam në VV apo dua ta ndaj VV këto janë të paqëndrueshme, kjo nuk është gazetari është propagandë e ulët prapa të cilave unë konsideroj që ka para të ndyta”, ka thënë Konjufca./GazetaExpress/