Kosova është duke kaluar nga një krizë politike në tjetrën dhe kjo ka ngufatur ekonominë e cila sivjet pritet të goditet më së rëndi në dhjetë vjetët e fundit, thonë ekspertë të ekonomisë. Ekspertët konsiderojnë se humbjet në ekonomi do të jenë edhe më të mëdha gjatë dhe pas pandemisë së COVID-19, derisa institucionet dhe liderët politikë në Kosovë vënë si prioritet çështjet politike dhe lënë anash ato ekonomike.
Kjo situatë, thonë ekspertë të ekonomisë, ka penguar institucionet në gjetjen e alternativave për të ndihmuar ekonominë në këtë kohë krize nga pandemia, ndonëse me këtë vlerësim nuk pajtohen zyrtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Nga një krizë virusi në një krizë ekonomike
Safet Gërxhaliu, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë procese ekonomike në Kosovë gjatë kësaj kohe kanë mbetur peng i një jostabiliteti politik i cili është krijuar në Kosovë.
“Jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur të krijuar në Kosovë. Duhet të pranohet që Kosova ka hyrë nga kriza në krizë ekonomike. Jostabiliteti politik në aspektin psikologjik është duke ngufatur shpresën te qytetarët. Shumë procese kanë mbetur peng i një diskursi të tillë politik. Ajo çka është më shqetësuese është se edhe pandemia si pandemi është e politizuar”, thotë Gërxhaliu.
Kosova që nga 25 marsi funksionon me qeveri në detyrë, pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Gërxhaliu shton se e gjithë kjo situatë politike e cila ka mbizotëruar në vend, ka bërë që të mungojnë strategji dalëse për problemet me të cilat po përballet ekonomia e Kosovës gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.
“Politika duhet të jetë në funksion të sanimit dhe jo në funksion të protagonizimit dhe të shfrytëzimit të kësaj pandemia për populizëm. Sfidat janë të mëdha dhe duhet të mësojmë nga përvojat e vendeve të ndryshme. Ekonominë dhe zhvillimin ekonomik duhet të kemi prioritet, dhe vetëm në këtë mënyrë mund të minimizohen efektet negative”, thotë Gërxhaliu.
FMN: Ekonomia e Kosovës mund të tkurret 5 për qind
Zyrtarë të qeverisë në detyrë, ndërkohë thonë se agjenda politike nuk ka penguar në asnjë mënyrë hapat që është dashur të merren gjatë kohës së pandemisë, në aspektin ekonomik. Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë në detyrë, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë miratuar një Pako Emergjente Fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro, e cila është në zbatim dhe se janë duke e hartuar edhe pakon e dytë e cila ka në fokus vetëm rimëkëmbjen ekonomike.
Kjo sipas tij, tregon se Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka harruar përgjegjësinë që ka për shëndetin ekonomik. Por, Kryeziu shton se sikur të ishte një situatë tjetër politike ka mundur të bëhen hapa më efektivë.
“Nëse do të kishte një përballje më të mirë ndërpolitik padyshim vëmendja do të ishte edhe më e madhe edhe më efektive në aspektin ekonomik, por ne kemi vepruar në një ambient të polarizuar ekonomik, në një parlament që nuk shpreh gatishmërinë që t’i dalë në ndihmë ekonomisë së vendit përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe Transfereve”, thotë ai.
Institucione financiare ndërkombëtare kanë aprovuar kredi për Kosovën, për të mbuluar humbjet nga pandemia COVID-19, por këto para nuk po mund të merren, pasi marrëveshje të tilla kërkojnë ratifikim në Kuvendin e Kosovës dhe votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve. Qeveria është sponsorja kryesore e ligjeve të cilat miratohen në kuvend, por është e paqartë nëse qeveria aktuale në detyrë mund të bëjë një gjë të tillë.
Shoqatat ekonomike në Kosovë, në anën tjetër kanë kërkuar nga liderët institucionalë të Kosovës që të kenë në fokus ekonominë dhe rimëkëmbjen e saj pas humbjeve që janë shkaktuar. Sipas disa të dhënave të cilat i ka prezantuara ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, humbjet janë të mëdha për Kosovën dhe atë deri në 6 milionë euro në ditë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), përmes një njoftimi publik dërguar javën e kaluar ka kërkuar nga institucionet e vendit që të shfaqin vullnet të fuqishëm dhe angazhim serioz për arritjen e një stabiliteti të përgjithshëm politik.
“Stabiliteti politik është kyç për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të huaja”, thuhet në një deklaratë të OEAK.
Ekonomia e Kosovës e ka pasur të pamundur të zbutë problemet ekonomike e sociale ndër vite me një rritje ekonomike mesatare prej 4 për qind, që e ka shënuar gjatë viteve të fundit. Pas pandemisë parashikimet për ekonominë e Kosovës janë të zymta. Fondi Monetar Ndërkombëtarë pas pandemisë ka parashikuar që ekonomia e Kosovës të tkurret për 5 për qind.