Deklarata e ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ku ai kundërshton hapur vendimin e kryeministrit Edi Rama për shembjen e Teatrit, ka nxitur reagime kontrastuese në rrjet.
Përmes, një postimi në facebook pas prishjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, Kurti ka akuzuar kryeministrin Rama se e shembi për shkak të interesave të përkohshme dhe shijeve personale duke mohuar kulturën dhe historinë që ajo mbante në vetvete.
Kurti shkruan se ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. “Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.”, shkruan ai.
Postimi i kryeministrit, numëron gati 15 mijë pëlqime brenda disa orësh, dhe nuk kanë munguar komentet.
Një pjesë e komentuesve, shprehin qartazi mbështetjen për deklaratën e liderit të Vetëvendosjes.
Një pjesë e komentuesve, madje shprehen se edhe Shqipëria, ka nevojë për lider si ai.
Ndërkohë, nga ana tjetër, një grup tjetër komentuesish, “këshillojnë” Kurtin, të mos merret me punët e Shqipërisë, por të shohë punët e veta, duke e akuzuar se deklarata është rezultat i mosmarrëveshjeve mes tij dhe Ramës. Ose sepse ai nuk ka aftësinë e as kompetencën të “gjykojë” lidhur me një çështje të tillë.
Ndërkohë, në ambientet e Teatrit Kombëtar vazhdon protesta, dhe kundërshtimet lidhur me vendimin. Nuk kanë munguar as incidentet gjatë ditës./ konica.al