Bayern Munchen nuk gabon në ristart. Kampionët e Gjermanisë fituan 2-0 në fushën e Union Berlin, duke realizuar nga një gol për secilën pjesë dhe duke mbajtur kreun dhe distancën me Dortmund të vendit të dytë.
Miqtë kaluan në avantazh në ndeshjen kundër Union Berlinit në minutën e 40′. Robert Lewandowski e nisi aty ku e la, duke shënuar golin e parë pas rikthimit të Bundesligës për skuadrën gjermane.
Lewa nuk e kishte të vështirë, pasi dërgoi topin në rrjetë nga një penallti. Ai nuk gaboi duke treguar qetësi të madhe dhe mposhtur portierin kundërshtar për 0-1, rezultat që mbylli pjesën e parë. Ndërkohë që për polakun ishte goli i 26-të këtë sezon, vetëm 1 më pak se Immobile në Europë.
Bayern dominoi edhe në pjesën e dytë, por mund të ishte ndëshkuar në ndonjë moment. Çlirimi për miqtë erdhi në minutën e 80-të, kur Pavard shënoi golin e dytë. Më pas miqtë bavarezë thjesht mbrojtën këtë avantazh, Union Berlin pak bëri për të merituar 1 pikë.