MENU
klinika

I vetmi vend në rajon ku...

Wiiw: Gjysmë milion shqiptarë punojnë në të zezë

18.05.2020 - 13:53

Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ( Wiiw ) ka publikuar raportin më të fundit për rajonin me tendencat e tregut të punës, ku vihet theksi te ndryshimet gjatë viteve të fundit dhe sidomos gjatë vitit të kaluar.

Në raport thuhet se në Shqipëri, mes tremujorit të dytë të 2018-ës dhe tremujorit të dytë të vitit pasardhës 30 mijë individë janë punësuar në të zezë. Sipas asaj që thotë instituti, Shqipëria është i vetmi vend i rajonit ku punësimi në të zezë është rritur në harkun e vitit të kaluar.

Kjo shifër prej 30 mijë individësh i duhet shtuar asaj të punësimit informal deri në 2018-ën, që sipas raportit fiksohet në 455 mijë individë, e që e çon shifrën totale në 485 mijë individë, në mbi 37% të punësimit total. Si në terma absolut ashtu edhe në përqindje ndaj totalit të punësimit kjo është shifra më e lartë në rajon. Të dhënat tregojnë se aksioni antiinformalitet i qeverisë shqiptare i disa viteve më parë ka pasur rezultat mjaft të kufizuar.

Në 2014-ën numëroheshin 535 mijë të punësuar në të zezë, ndërsa sot, 485 mijë, pra një rënie me vetëm 50 mijë individë. Thuajsë gjysëm milionë shqiptarë sot figurojnë të punësuar në të zezë, pra të pambrojtur dhe me kontributet e tyre të pallogaritura pjesërisht apo plotësisht.

Në një kohë të tillë ndërkohë, kjo shifër merr edhe më shumë vlerë, pasi bëhet fjalë për gjysmë milionë të punësuar të cilët në një pjesë të madhe nuk do të përfitojnë nga paketat e ndihmës të qeverisë shqiptare si pasojë e situatës së krijuar nga Covid-19, pasi nuk figurojnë në regjistrat e tatimeve dhe të sigurimeve shoqërore. Instituti i Vienës për studime ekonomike ndërkombëtare llogarit si pjesë të punësimit informal edhe të vetëpunësuarit si edhe të punësuarit familjarë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria gati për amnisti të përgjithshme

“Deklaroni asetet, paratë në bankë”