Pas tre vjetësh abuzim të pozicionit mbizotërues dhe sistemit financiar të Amerikës nga ana e presidentit amerikan Donald Trump, përgjigja katastrofike e administratës së tij ndaj pandemisë COVID-19 do të gërryej edhe më shumë besimin te dollari. Dhe nëse ditëve të “privilegjit të tepruar” të Amerikës u vjen fundi, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me të tjerat.
Me fillimin e krizës së COVID-19, Shtetet e Bashkuara duket se kanë zhvilluar një rast të rëndë të asaj që psikologët e quajnë çrregullim identiteti disociues: projektimi njëkohësisht i dy personaliteteve të ndryshme.
Nga njëra anë, Rezerva Federale e SHBA-së marrë përsipër me përgjegjësi një rol udhëheqës në financat ndërkombëtare, siç bëri gjatë krizës financiare globale të vitit 2008. Në mars, ajo ringjalli me shpejtësi një rrjet marrëveshjesh bilaterale me rreth 14 banka qendrore të huaja dhe prezantoi lehtësira të reja riblerjeje për një grup edhe më të gjerë autoritetesh monetare, duke siguruar kështu një sasi të bollshme dollarësh amerikanë për të përmbushur nevojat e likuiditetit globa. Banka qendrore e Amerikës është bërë edhe një herë huadhënësja e fundit e botës.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë në mënyrë të papërgjegjshme idenë se bashkëpunimi ndërkombëtar është i nevojshëm për të luftuar ndikimin e COVID-19 në shëndetin publik dhe veprimtarinë ekonomike. Ai vazhdon t’i qëndrojë parimit “Amerika e Para”, që do të thotë se qeveritë e tjera duhet të shikojnë diku tjetër për një model lidershipi. Kur i është dhënë mundësia, administrata Trump ka sqaruar se do të veprojë vetëm dhe vetëm në “interes kombëtar”, siç përcaktohet nga vetë botëkuptimi i ngushtë transaksional i presidentit.
Kjo shfaqje e identiteteve konfliktuale nuk është aspak një shenjë e aftësisë amerikane dhe as nuk e ndihmon dollarin amerikan, prej kohësh monedhës mbizotëruese të botës. Sa më gjatë vazhdon Amerika me shfaqjen e dy fytyrave, aq më shumë gjasa ka që ajo të bjerë nga pozicioni i saj si kryesuese e sistemin monetar dhe financiar ndërkombëtar. Në fund të fundit, edhe sa gjatë do t’i besojnë investitorët ndërkombëtarë dhe qeveritë e huaja parasë së një partneri gjithnjë e më pak të besueshëm?
Për momentin, ekziston pak rrezik për një eksodi masiv nga dollari. Veprimet e fundit të Rezervës Federale janë një përgjigje ndaj kërkesës më të lartë për dollarë. Kjo sugjeron se kriza e COVID-19 ka ripohuar rolin kritik të dollarit si streha e fundit e sigurt.
Megjithatë, para se të shpërthente pandemia, ishte gjithnjë e më e qartë se investitorët dhe bankat qendrore po kërkonin alternativa të “standardit të pa dashur të dollarit”, për shkak të sjelljes së paparashikueshme të administratës Trump dhe nacionalizmit toksik ksenofob. Në të gjithë botën, ka pakënaqësi të dukshme ndaj përdorimit pa dallim të sanksioneve financiare të Trump për të ndëshkuar vendet si Irani, si dhe çdo vend që bën biznes me të, përfshirë aleatët e SHBA-së.
Kina, në veçanti, ka qenë gjithnjë e më proaktive në promovimin e renminbit si një alternativë ndaj dollarit duke hapur gradualisht tregun e saj të brendshëm të bonove prej 13 trilionë dollarësh (i dyti në botë) për investitorët e huaj institucional. Po kështu, vendet europiane kanë prezantuar një mekanizëm të ri të krijuar posaçërisht për të anashkaluar sanksionet amerikane për eksportet e naftës iraniane.
Me dollarin që tani sa vjen e dobësohet, pandemia në mënyrë të pashmangshme do ta hap edhe më shumë plagën. Kjo, nga ana tjetër, do të ketë implikime të gjera për ndikimin e Amerikës në botë dhe, si përfundim, edhe për rendin ndërkombëtar të pas luftës të udhëhequr nga SHBA-ja.
Kontributi i dollarit në pushtetin e Amerikës kuptohet qartë. Si emetuesja e monedhës mbizotëruese të botës, Amerika ka shijuar prej kohësh atë që Valéry Giscard d’Estaing, asokohe ministër i financave i Francës, e quajti si një “privilegj të tepruar”. Për sa kohë që të huajt janë të uritur për dollarë, Shtetet e Bashkuara mund të shpenzojnë gjithçka që duhet për të projektuar pushtetin në të gjithë botën, thjesht duke shpejtuar printimin. Ajo gjithashtu mund të ketë edhe ndikim më të drejtpërdrejtë, siç është vënia në dispozicion e dollarëve për miqtë, ndërkohë që mban larg armiqtë.
Por tani, sjellja tekanjoze e Trump dhe ndjekja e izolimit kërcënojnë të gërryejnë ndjeshëm fuqinë gjeopolitike të SHBA-së. Dhe pasi të shihet që fuqia amerikane po venitet, dollari do të fillojë të humbasë një pjesë të joshjes së tij, duke vënë në lëvizje një rreth vicioz: një dollar më i dobët sjell një SHBA më të dobët, e cila sjell një dollar më të dobët, e kështu me radhë.
Në fakt, sterlina ndoqi një model të ngjashëm në shekullin XX. Humbja e pozicionit ndërkombëtar të sterlinës ishte një shkak dhe pasojë e rënies së ngadaltë të Britanisë nga një fuqi perandorake në fuqinë e një ishulli të thjeshtë në brigjet e Europës kontinentale. Dollari nuk është imun ndaj të njëjtit lloj degjenerimi progresiv.
Rënia e pozicionit të SHBA-së dhe dollarit do të largonte një nga shtyllat kryesore të rendit liberal të pas luftës. Për shumë njerëz, ai rend ka qenë sinonim i mbizotërimit gjeopolitik të SHBA-së. Por në mungesë të lidershipit të SHBA-së, modele politike konkurruese do të bëjnë përpara, duke promovuar nacionalizëm, populizëm dhe copëza të ndryshme “demokracie liberale”. Personaliteti i ndarë i Amerikës do të prekë më shumë sesa vetë amerikanët. Në të tilla kushte, prognoza e rendit të pasluftës me në qendër dollarin duket e zymtë.