Me ndeshjen Werder Bremen-Bajer Leverkusen, e përfunduar në shifrat 1-4, ka përfunduar java e 26-të e Bundesligës gjermane. Bremen me këtë humbje rrezikon të bie nga kategoria, ndërsa Leverkusen shpreson shumë për një vend në Champions League, pasi është ngjitur në vendin e pestë dhe afër me skuadrat që ka para.
Pas 66 ditësh, më në fund në Europë pamë futboll të vërtetë. Ndonëse pa spektatorë dhe ndoshta duke mos iu përmbajt deri në detaj rregullave në fushën e lojës, rinisja e futbollit Gjermani solli magjinë e kësaj loje dhe argëtoi tifozët vendas, por edhe jashtë këtij vendi. Plot 27 gola u shënuan në javën e 26-të të Bundesligës, me një mesatare prej 3 golash për ndeshje.
Por përpos spektaklit dhe argëtimit, pati edhe një problem. Në nëntë ndeshjet e luajtura, plot 9 futbollistë kanë shfaqur probleme muskulore dhe janë detyruar të ngrenë flamurin e bardhë që në javën e parë pas rikthimit. Pra, 1 futbollist për ndeshje. I pari ishte Giovanni Reyna, që u ndalua gjatë nxehjes përpara sfidës mes Borussia Dortmundit të tij dhe Schalke 04, ku duhet të ishte titullar.
Edhe Thorgan Hazard, zëvendësuesi i tij ka kërkuar ndërrimin, ashtu si Todibo, mbrojtësi i Schalkes. Ndeshja Hoffenheim-Hertha Berlin prodhoi 3 dëmtime. Futbollistët e tjerë që janë dëmtuar janë Gjasula i Paderborn, Markus Thuram i Monchegladbach dhe Bargfrede i Bremen. Jo të gjitha skuadrat kryen të gjitha 5 zëvendësimet e miratuara tashmë nga FIFA, kryesisht ato kryesuese, Bayern Munchen, Dortmund dhe Leipzig.