Masat e marra kundër Covid-19, duke mbyllur aktivitetin e një pjese të konsiderueshme të bizneseve, kanë dëmtuar rëndë arkën e shtetit. Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, për në 4 mujor, janë mbledhur rreth 16.3 miliardë lekë apo 132 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, dhe total i i të ardhurave arrin në 133 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pësuar goditjen më të madhe me 12.2 miliardë lekë minus krahasuar me Prillin 2019.
Kështu, me rënie drastike paraqiten të ardhurat nga TVSH-ja, me afro 4.3 miliardë lekë, ku janë mbledhur në total 39.2 miliardë lekë, çka është pasojë e rënies së importeve si dhe të konsumit. Po ashtu edhe nga tatimi mbi fitimi janë mbledhur 4.5 miliardë lekë më pak, për shkak se qeveria mori masa lehtësuese për shtyrjen e afateve të pagesave për bizneset e mëdha si dhe faljen për bizneset e vogla, ndërkohë që afati i përcaktuar ishte muaji Prill.
Nga ky zë u mblodhën 10.8 miliardë lekë në muajin Prill 2020. Ndërkaq, 1,6 miliardë lekë më pak janë mbledhur nga tatimi mbi të ardhurat personale, pasi edhe në këtë rast u shty afati për të paguar detyrimet. Administrata tatimore ka siguruar 1.1 miliardë lekë më pak edhe nga taksat nacionale dhe 600 milionë lekë më pak nga akcizat, duke bërë që të gjithë treguesit e të ardhurave në buxhet të kenë marrë goditje. Ndërsa, shpenzimet kapitale janë rritur me vetëm 300 milionë lekë në raport me vitin e kaluar, ku janë regjistruar në 16.5 miliardë lekë.
Të ardhurat në buxhet
Prill 2019 149.3 miliardë lekë
Prill 2020 133 miliardë lekë
Të ardhurat nga TVSH
Prill 2019 43.5 miliardë lekë
Prill 2020 39.2 miliardë lekë
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin
Prill 2019 15.3 miliardë lekë
Prill 2020 10.8 miliardë lekë