MENU
klinika

Rindërtimi i Teatrit Kombëtar

Dhjetëra qytetarë në Durrës firmosin peticionin e Aleancës

22.05.2020 - 18:16

Dhjetëra qytetarë të Durrësit i janë bashkuar nismës së peticionit për rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte, ashtu siç ishte para shembjes.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para peticionit mbajti një tubim sensibilizues në Durrës teksa do të vijohet dhe në qytete të tjera për të mbledhur firmat.

Regjisori dhe aktori Edmond Budina i ka bërë thirrje popullit nga Durrësi që mos ketë më frikë pasi Meta do e shpërndajë parlamentin.

Budina citoi Presidentin se nëse populli ngrihet ai do e shpërndajë prandaj bëri thirrje për përmbysjen e qeverisë.

”U vendos diktatura e mafies. Prandaj jemi këtu që të protestojmë dhe ta përmbysim këtë klikë të ndyrë antikombëtare.
A e kuptoni, ata vranë kujtesën kombëtare, ndërtesë 80- vjeçare. Shikoni çfarë kanë bërë me Durrësin, e kanë betonizuar dhe shkatërruar kujtesën arkeologjike të këtij qyteti. Duhet të ishte si Roma por këta nuk kanë kujtesë kombëtare. Por këta shohin si të mbushin xhepat. Prandaj të ngrihemi të protestojmë, dhe ta largojmë këtë bandë që kanë uzurpuar vendin. Shikoni çbëhet në parlament. Ata bëjnë tallava në parlament. Tallen me popullin. Dërgojnë në teatrin kombëtar për të vrarë artistët, intelektualët. Sepse dërguan RENEA-n dhe filluan shembjen kur njerëzit ishin brenda. Ky parlament është i paligjshëm. Duhet të shpërndahet. Presidenti e tha, meqenëse populli do të ngrihet i gjithi, Presidenti do e shpërndajë, prandaj mos kini frikë, ngrijeni kokën.
Ata përpiqen me çdo mënyrë të përçajnë popullin.”- tha Budina.

Më pas, në shesh morën fjalën përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit që i bënë thirrje popullit për të reaguar ndaj klasës politike që po qeveris vendin dhe që po shkatërron çdo ditë kujtesën historike dhe shpresat e shqiptarëve për demokraci dhe shtet të së drejtës.