Qeveria në detyrë ka mirëpritur letrën e përbashkët të dy ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Në ekzekutivin e vendit thonë se edhe dy shtetet aleate të Kosovës po kërkojnë që procesi i dialogut të jetë i përgatitur mirë dhe ndërtuar në parime. Ndërsa, përkundër këtij insistimi, ata nuk japin një datë se kur mund të rifillojë ky dialog.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu për KosovaPress thotë se shefi i ekzekutivit, Albin Kurti është i gatshëm të udhëheq dialogun me Serbinë. Por, sipas tij dialogu nuk duhet të jetë akt drejt marrëveshjes, por proces që shpie në marrëveshje.
“Ne kemi treguar gatishmërinë që të udhëheqim me dialogun. Kryeministri në detyrë madje ka propozuar modelin se si kjo gjë mund të bëhet, sa i përket përfaqësimit të Kosovës në këtë proces. Ne pajtohemi me letrën e përbashkët, sidomos sikur ata edhe ne pajtohemi që procesi i dialogut është një proces i përgatitur mirë dhe duhet ndërtohen në parime”, u shpreh Kryeziu.
Thirrjen për rifillim të dialogut të ministrit të Jashtëm Gjermanisë, Heiko Maas dhe homologu i tij francez, Dialo Jean-Yves Le Drian e sheh si pozitive edhe njohësi politik, Mallzum Baraliu.
Sipas tij, në asnjë formë nuk mund të neglizhohet roli vendimtar i BE-së në procesin e dialogut me Serbinë.
“Nuk mund të neglizhohet roli vendimtar i BE-së dhe nuk do të duhej të bëhej dallimi me qëllim, ose pa dashje që të përjashtohet roli i BE-së, po as ShBA-të. Është shumë pozitive për ne që këta po kyçen në këtë proces kësaj radhe… nuk do të duhej që në mënyrë të ngutshme, pa u përgatitur të rifillojë dialogu, por të përgatitet mirë me një platformë të përbashkët”, thotë ai.