Rënia ekonomike këtë vit do t’i afrohet nivelit -5%, sipas qeverisë shqiptare, diçka që mund të kërkojë një rritje të mëtejshme të deficitit buxhetor dhe rrjedhimisht marrjes së borxhit. Ministrja e Financave Anila Denaj bëri pasqyrimin e situatës së krizës shkaktuar nga pandemia, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutua huamarrja prej 139.3 milionë SDR nga FMN.
Borxhi në valutën e fortë, një kombinim i pesë monedhave më të forta në botë, është i barabartë me 190 milionë dollarë. “Shuma e huasë është 139,3 milionë SDR dhe ka një normë bazë interesi të përcaktueshme nga tregu, por që në parim shkon tek 4.5%. Maturimi i huasë është nga 3.5 deri në 5 vjet. Nuk do të ketë një efekt të menjëhershëm të këtij fondi tek një sektor i caktuar. Ai do të shkojë për të mbuluar në total diferencat e bilancit. Por gjatë muajit qershor ne planifikojmë të dalim me një plan për rimëkëmbjen për të gjithë sektorët”, u shpreh Denaj.
Sipas Ministres, borxhi nga FMN nuk pritet të hidhet menjëherë në ekonomi apo në sektorë specifikë, por do të shërbejë në rast se nuk do të arrihet rezultati i pritshëm nga eurobondi, i planifikuar për në qershor.
“Ne jemi duke u futur në procesin e Eurobondit në muajin qershor, një proces i parashikuar që përpara situatës Covid-19. E vetmja diferencë do të ishte nëse kjo do të shtyhej për arsye që tregjet financiare nuk do të sillnin atë produktivitet të daljes në treg që Republika e Shqipërisë do të kërkonte. Në rast të tillë do të ishim detyruar të ktheheshim nga kjo monedhë (borxhi i FMN) dhe të preknim atë”.
Përmes eurobondit, qeveria shqiptare do të kërkojë rreth 650 milionë euro në bursat ndërkombëtare, me një afat maturimi, apo shlyerje, prej 7 deri në 10 vjet. Megjithatë, pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë shqiptare këtë vit dhe për atë botërore në përgjithësi mund të shtyjë investitorët të ofrojnë një normë më të lartë interesi, duke e bërë këtë instrument të pafavorshëm.