Masat e marra nga qeveria në përgjigje të pandemisë Coronavirus, e kanë kthyer buxhetin e shtetit 8 vite pas, sa i takon performancës në të ardhura. Sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, në muajin Prill 2020 rezulton të jetë mbledhur niveli më i ulët i të ardhurave totale që nga viti 2013. Konkretisht në muajin Prill u mblodhën afro 28.9 miliardë lekë apo 233 milionë euro nga 30.7 miliardë lekë apo 247 milionë euro që u mblodhën në vitin 2013. Ndërsa në të gjithë periudhën tjetër Prill 2014-2019, të ardhurat në arkën e shtetit janë më të larta.
Kjo performancë ka ardhur për shkak se një sërë biznesesh janë mbyllur përkohësisht, duke u përjashtuar nga detyrimet tatimore, si dhe janë marrë masa për pezullimin e tatim-fitimit për subjektet e vogla si dhe shtyrjen e afateve të pagesave për bizneset e mëdha. Ndërsa një pjesë e mirë e humbjeve vjen nga TVSH-ja si rrjedhojë e rënies së importeve dhe konsumit. Ndërkohë në anën tjetër, Prilli 2020 regjistron nivelin më të lartë të totalit të shpenzimeve të bëra në 8 vite.
Konkretisht gjatë muajit që lam pas janë shpenzuar rreth 41.7 miliardë lekë apo 336 milionë euro, ndërsa në Prill të 2013 regjistrohen në 39.6 miliardë lekë. Shpenzimet më minimale janë bërë në Prill 2016, me 32.2 miliardë lekë apo 259 milionë euro. Ndikimin më të madh në rritjen e shpenzimeve e kanë dhënë ato për ndihmën ekonomike dhe asistencën sociale, ku u vendos dyfishimi i pagesës gjatë periudhës së pandemisë.
Të ardhurat në buxhet
Prill 2013 30.7 miliardë lekë
Prill 2020 28.9 miliardë lekë
Shpenzimet totale
Prill 2013 39.6 miliardë lekë
Prill 2020 41.7 miliardë lekë