Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur besimin e tij që Gjykata Kushtetuese do të marr vendim në favor të dekretit për zgjedhjen e qeverisë së re nga partia e dytë.
Haradinaj pohoi se i është dhënë mundësia partisë së parë, e ka krijuar qeverinë, dhe i është dhënë për herën e dytë, por nuk e ka pranuar. “I pari e ka konsumu mundësinë, e ka themelu Qeverinë. I pari, prapë e ka pas mundësinë e dytë, por nuk ka mbërri me bë, ose nuk ka dashtë. Nuk ka të bëjë me mohim të të parit, por me kërkim të opsionit tjetër. I pari e ka shfrytëzu të drejtën, por e ka humbë për fatin e vet. Vendi është në krizë dhe situata të tilla mund të kemi çdo herë”, tha Haradinaj në televizionin “T7”.
Haradinaj, tha se vendimin e marrin vetëm gjykatësit e Kushtetueses dhe jo ata që debatojnë. “Vetëm gjykatësit mund të marrin vendim dhe e interpretojnë Kushtetutën, ne mund të flasim”, tha ai.