Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj është bërë pjesë e takimit të Ministerialit ndërmjet Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për çështjet e Drejtësisë dhe punëve të Brendshme. Takimi i nivelit të lartë u organizua për të diskutuar mbi forcimin e shtetit të së drejtës dhe eficencën e sistemeve të drejtësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në rrjetet sociale Gjonaj ka theksuar se është hera e parë që një takim i një niveli kaq të lartë zhvillohet në Shqipëri, çka është një vlerësim dhe mbështetje e rëndësishme për rrugën e reformave të thella që ka nisur qeveria dhe rezultateve konkrete që ka arritur.
“Jam e nderuar që Ministeriali BE – Ballkani Perëndimor për çështjet e Drejtësisë & Sigurisë për herë të parë po zhvillohet në Tiranë. Tregues i qartë i vlerësimit dhe mbështetjes së partnerëve tanë strategjikë për rrugën e reformave të thella që kemi nisur“, shkruan në Twitter Gjonaj.