MENU
klinika

Kryeson fusha e informacionit

Tregtia elektronike/ E ofrojnë më pak se 6% e bizneseve

28.05.2020 - 13:29

Shpërthimi i epidemisë së koronavirusit, në muajin mars, tregoi se pjesa më e madhe e bizneseve shqiptare ishin të papërgatitura për tregtinë elektronike. Sipas Institutit të Statistikave, vitin e kaluar vetëm 5.8% e bizneseve shqiptare shisnin nëpërmjet internetit, nivel ky pothuajse i njëjtë me vitin 2018.

Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikimit me 28.5 %, pasuar nga hotelet dhe restorantet me 12.8% dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 9.7%.

Pas vendosjes së kufizimeve drastike në muajin mars, shumë ndërmarrje u gjendën të papërgatitura dhe u përpoqën të adoptonin me nxitim zgjidhje për të ofruar shitje në distancë. Ngelet për t’u parë nëse ky kanal shitjesh do të ketë një sukses të qëndrueshëm, tani që ekonomia po i kthehet normalitetit.

Megjithëse një tendencë në rritje, tregtia elektronike në Shqipëri ngelet një sfidë e vështirë, për shkak të informalitetit të lartë, dominimit të transaksioneve cash dhe një përdorimi ende të ulët të instrumenteve elektronike të pagesave.

Në përgjithësi, shfrytëzimi i mundësive të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit nga biznesi shqiptar ngelet i kufizuar. Rreth 97% e ndërmarrjeve që kanë kompjuter dhe njëkohësisht lidhje interneti, por, më pak se gjysma e bizneseve të anketuara, rreth 44.5%, kanë një faqe të tyre në internet. Madje, ky tregues paraqitet në rënie për të katërtin vit radhazi.

Në vitet e fundit, përdorimi i internetit është rritur me ritme të shpejta dhe vlerësohet në mbi 73% të popullsisë. Por, ende shumë ndërmarrje nuk e konsiderojnë ende faqen e internetit si një kanal të domosdoshëm për marrëdhënien me klientët. Vetëm 23% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë të punësuar specialistë të teknologjisë së informacionit.