MENU
klinika

Mustafa: Nuk do shpallim e as do krijojmë armiq

Kushtetuesja i hap rrugë krijimit të qeverisë së re

30.05.2020 - 13:52

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij që Gjykata Kushtetuese ka konfirmoi kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit, për dhënien e mandatit Avdullah Hotit për krijimin e qeverisë së re.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka shprehur bindjen se LDK dhe partnerët e koalicionit me përgjegjësi do ta qeverisin Kosovën, në respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit, të interesave madhore të vendit. Ai theksoi se LDK nuk do të shpallë dhe s’do të krijojë armiq.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Të nderuar qytetarë!

Po e presim Aktgjykimin e kompletuar të Gjykatës Kushtetuese, për ta aktivizuar kërkesën e deputetëve të koalicionit, në krye me LDK-në, për thirrjen e Seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re. Jo se nuk e kemi të qartë Aktgjykimin, por se jemi të interesuar të respektojmë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha procedurat demokratike.

Që nga mocioni i votëbesimit ndaj qeverisë, LDK është deklaruar e gatshme ta krijojë një shumicë parlamentare për një qeveri të re, me kusht që të shteren të gjitha procedurat kushtetuese. Si parti e dytë, me një deputet më pak se VV, ia kemi propozuar për dekretim Presidentit të vendit kandidatin tonë, z. Hoti, të bindur se e gjithë procedura ka qenë kushtetuese dhe se zgjedhja e një qeverie të re është në interes të vendit.

Jam lumtur që Gjykata Kushtetuese me një aktgjykim të argumentuar mbi frymën dhe shkronjat e Kushtetutës tonë por edhe të zgjidhjeve komparative kushtetuese nga vendet e tjera, konfirmoi kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit, rrjedhimisht se veprimi i LDK-së, AAK-së, Nismës, AKR-së dhe subjekteve joshumicë parlamentare ishte në harmoni me hapësirën që ofron Kushtetuta. Pra, me hapësirën demokratike të një vendi me demokraci parlamentare.

Jam i bindur se me këtë përgjegjësi, LDK dhe partnerët e koalicionit do ta qeverisin Kosovën, me respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjit, të interesave madhore të vendit dhe të çdo qytetari, pavarësisht bindjeve të tij partiake, fetare apo përkatësisë etnike.

Marrja e përgjegjësive në këtë kohë të Pandemisë, të krizës ekonomike si pasojë e Covid-19, të krizës së marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik, SHBA dhe BE, nuk është e lehtë për LDK-në dhe as për Qeverinë e ardhshme. Është një sakrificë për vendin. Një përpjekje legjitime për të stabilizuar rrjedhat politike dhe ekonomike me veprime demokratike.

Besoj fuqishëm se Gjykata Kushtetuese ia mbajti anën Kushtetutës, jo Presidentit dhe jo interesit të asnjë subjekti politik. Por interesit të popullit, të mbështetur në aktin më të lartë juridik.

Në ballafaqimin me sfidat që na presin, të gjithë ne do të fitojmë nëse i tejkalojmë mosdurimet dhe dallimet, gjithnjë duke e kultivuar dhe respektuar relacionin pozitë-opozitë. Duke respektuar ndarjen e pushtetit dhe institucionet e pavarura. Duhet të arrijmë përfundimin e marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke, me ndërmjetësim të fuqishëm të SHBA-së dhe BE-së, anëtarësimin në OKB dhe në NATO, njohjen nga vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe ecjen drejt anëtarësimit në BE. Këto synime legjitime nuk duhet të jenë vetëm partiake, por të të gjithë neve, si qytetarë të Kosovës.

Kjo më shtyn të besoj se qeveria e ardhshme duhet të përkrahet gjerësisht dhe se kësaj qeverie duhet ti kërkohet në mënyrë të vazhdueshme përgjegjësi. Kjo duhet të jetë qeveri që kryen punë konkrete, që u ik veprimeve e kauzave populliste. Qeveri që nuk shpall dhe nuk krijon armiq, por që ndërton ura të brendshme dhe të jashtme bashkëpunimi.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pas vendimit që i hap rrugë qeverisë së re

BE: Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë

Protesta dhe përpjekje për qeverinë pa Kurtin

Analiza/ Kosova drejt një stuhie politike

"Të gjithë duhet ta zbatojmë!"

Mustafa: Vendimi i Kushtetueses i qartë!


Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat