MENU
klinika

Frederik Rreshpja

Artisti që vërtet diti me vdek!

02.06.2020 - 06:54

“Unë di të vdes” i tha atë natë Frederik Rreshpja shkrimtarit Petrit Palushi. “Kam ditur të jetoj. Unë di edhe të vdes.” tha sërish pas pak. Dhe vërtet… vërtet Fredi diti me vdekë.

Nuk kam pas fatin ta njihja Rreshpjen personalisht, por herë pas here do t’i drejtohem Fred, ashtu si miqtë iu drejtoshin. Ndoshta për një farë egoizmi të brendshëm, mbasi dua shumë që të kisha kenë miku i tij.

Nëse është dikush që nuk ka ditë me jetu ama ka ditë me vdek, ky është Frederik Rreshpja. Ai ka ditë me shkrue poezi domethënëse dhe e ka kthy jetën e vet në një të tillë, ama kaq. Ai ka jetu një poezi, jo një jetë.

Është pafund prekës artikulli i Myftar Gjanajt botuar në gazetën “Drita” me datën 20 shkurt të vitit 2006 ku rrëfehet takimi i fundit i tij me Fredin. Më poshtë janë fjalët që Fredi i tha atij:

Jam verbuar fare more bir. Ty s’të kam parë, ka shumë kohë. Ku ke qenë këto kohë. Edhe numrin e telefonit tënd e kam humbur. Kam ndenjur në hotel, por tanimë s’kam më para ta paguaj. Kam një kontratë me S.B (në artikull emri përmendet i plotë) që shfrytëzon shtypshkronjën time, sipas të cilës duhet të më japë 700 mijë lekë të vjetra në muaj, por ai nuk më jep asgjë, ka kohë.

Si do t’i bëhet hallit tim? Askush nuk më do tanimë. Nëna më ka vdekur, ka kohë. Si s’po vdes mor bir. Pra, unë e kam besuar shumë Zotin dhe i jam lutur të më marrë, por ai nuk po më dëgjon. E kam shkruar unë, jam i mallkuar me pavdekësi.

Kam shumë dhimbje në trup, s’kam fuqi të ec, nuk shoh fare. Kam frikë se do të më shtypi ndonjë makinë. S’kam ku të fle. Nuk më japin as pension, të paktën sa për të shtyrë ca ditë që më kanë mbetur. Më vjen turp të vdes në rrugë të madhe, se jam fis i madh, jam pasardhës i Papa Klementit.

Nuk më duan mua komunistët, më lanë rrugëve, jam më keq se në burg.

A do vish me mua në Shkodër? Më ço me makinën tënde dhe do të të jap një libër me poezi në dorëshkrim që kam shkruar kohët e fundit. Merre, bëj ç’të duash me të. Botoje. Lëre, po pse ta botosh, ç’vlerë ka botimi i poezive!

Nuk më pranon askush në shtëpi. As hoteli nuk më pranon. Shkova te motrat Nënë Tereza, por edhe ato nuk më pranuan, edhe pse i premtuan në telefon Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, Z. Zyhdi Morava që të më strehonin dhe të më ushqenin. Kam tri ditë pa ngrënë, mor bir.

Frederik Rreshpja
Pas kësaj, e di se titulli duket joreal dhe duket se në të vërtetë, Fredi nuk diti si të vdesë. Ama është e kundërta. Duke lexuar poezitë e tij, kuptojmë se kështu e plotësonte Fredi atë boshllëk që kishte: duke shkruar për të.

Në këtë rast, ai flet për të. Ai flet për vdekjen, e kërkon vdekjen dhe në fund, katër ditë pas këtij takimi, ai e gjeti vdekjen, ose vdekja e gjeti atë. Ai, vdiq ashtu si i kishte thënë së ëmës:

Nëna ime ti dhembje e pashuar,
Ka kaq vjet që rri nën dhe të zi,
Edhe yt bir siç duket së shpejti,
Do e lërë këtë botë, nënë, e di.