Hani i Perisnakës ka qënë një nga pronat e Ahmetit, që ka një histori më vete. Ky han ka shërbyer si qëndër tranziti, por edhe shkëmbimesh tregtare të zonës së Korçës, Beratit, Gjirokastrës e Përmetit.
Këtu karvanët e gjatë të ardhur nga Korça dhe zonat e Tomoricës kalonin natën për të zbritur në Berat apo gjetkë. Madje ky han ka qenë edhe një qëndër ekonomike për shkëmbim mallrash dhe bagëtish.
Në han ka patur dhe dhoma fjetjeje për tregtarët. Ai u shndërrua në një treg zhurmues, prej nga mori namin me togfjalëshin e njohur i cili njihet edhe sot: “Nuk jemi te Hani i Perisnakës”.
Hani ka qenë ndërtuar në vendin që dhe sot quhet Vrom, që do të thotë rrugë që lidh zonën e Korçës dhe atë të Tomorricës me Beratin. Hani, pas vdekjes së Ahmetit, është trashëguar nga nipërit dhe stërnipërit e tij dhe së fundi nga stërnipi i tij i quajtur Dane Kaja, dhe ky luftëtar i zoti që kishte shërbyer në ushtrinë turke.
Nga ky han u bë i njohur dhe u lidh Roshniku me Korçën dhe zonën e Tomoricës, e cila kishte haxhinj të njohur. Madje Tomorica ka lidhur krushqi me Roshnikun ku mun të përmend gra të martuara që para 100 vjetësh si Xhavahirja Radovica, Karafilja nga Trebla, Bajamja nga Greva etj.
Po jo vetëm kaq: Në vendin e quajtur Beja, në vitin 1980 janë zbuluar varre me mbishkrime helene, pasi shkrimi grek ishte si shkronjat ndërkombëtare, ku u thurreshin vargje të afërmeve të vdekur si dhe janë gjetur kolona të mëdha mermeri, dy prej të cilave gjenden edhe sot, janë të vendosura në ballkonet e ndërtesave të familjarëve të këtij fshati.