Roger Federer, dy vitet e fundit nuk ka luajtur asnjë ndeshje në fushat me dhè, një sipërfaqe ku ai zakonisht vuan shumë, aq sa në karrierën e tij ka fituar vetëm një herë në grand slam të Roland Garros, që luhet në këtë sipërfaqe.
Edhe pse fitoret e zviceranit në fushat me dhè janë me pikatore, rivali i tij Rafael Nadal ka një tjetër konsideratë: “Roger është një kampion në fushat me dhè. Ka dalë 5 herë në finalen e Roland Garros, e ka fituar një herë si dhe mjaft turne në këtë sipërfaqe”, – tha Nadal.
“Federer luan mjaft mirë në fushat me dhè. Unë nuk kam parë shumë tenistë që të arrijnë kaq shumë herë në finalen e Roland Garros sa ai, ndaj unë e konsideroj si një ndër më të mirët në këtë sipërfaqe.
Ndoshta nuk është sipërfaqja e tij e preferuar, por kur luan këtë gjë e bën vetëm për të fituar”, – tha Nadal, që e mirëpret kolegun vitin tjetër në turneun parizien. “Kam dëgjuar që vitin e ardhshëm mund të luajë. Do të ishte fantastike, edhe pse për mua do të jetë një rival i fortë më shumë”, – u shpreh Nadal.