MENU
klinika

Paga e luftës

Si do përfitohet bonusi nga ata që s’kanë aplikuar?

09.06.2020 - 07:58

Tatimet njoftuan se si do shpërndahet paga e luftës edhe tek ata qytetarë që nuk kanë aplikuar. 5 qershori ishte afati i fundit i aplikimeve për pagë lufte, ndërkohë dje Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj ka sqaruar se si do të përfitohet paga e luftës për punonjësit për të cilët nuk ka një aplikim nga kompania.

Ibrahimaj tregoi se për ata qytetarë që DPT disponon të dhënat e plota paga do të kalojë automatikisht në llogarinë e tyre bankare, ndërsa pjesa tjetër duhet të dërgojë një ankesë në emailin e vendosur nga DPT në dispozicion të qytetarëve për këtë çështje. Në këtë letër-ankesë qytetari duhet të shënojë të gjitha të dhënat personale dhe numrin e llogarisë bankare.

Gjithashtu ajo tregoi se, qytetari do të jetë në lidhje me zyrat e Tatimeve deri në momentin që paga do i kalojë në llogarinë e tij e plotë. “Duke filluar nga dita e hënë do të fillojë të shpërndahet bonusi i luftës prej 40 mijë lekësh për individët përfitues të cilët ende nuk e kanë marrë, pavarësisht se punëdhënësit e tyre nuk kanë aplikuar për ta. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për një pjesë prej tyre për të cilët administrata disponon të dhënat e llogarive bankare, pagesa do të bëhet në mënyrë automatike.

Ndërsa për pjesën tjetër, do t’u duhet që të plotësojnë të dhënat e llogarive duke dërguar kërkesat apo ankesat në adresën e email [email protected]. Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listat me emrat e të gjithë individëve përfitues ku secili prej tyre mund të kontrollojë emrin e tij dhe të ndjekë procesin deri në fund për të marrë pagesën prej 40 mijë lekësh”’, sqaroi Ibrahimaj. Sa u takon bizneseve që nuk kanë bërë aplikimet ajo tha se ndaj tyre do të merret masa administrative gjobë 50 mijë lekë, ndërsa shtoi këtu se edhe këta të fundit kanë të drejtë të bëjnë ankesë.

Por, sipas saj, ankesat do të pranohen vetëm me një arsyetim të fortë që sipërmarrësi nuk ka kryer aplikimin për pagë lufte. “Refuzime kanë qenë mbi 31 mijë. Gjoba për subjektet të cilët do të vlerësohet se nuk kanë aplikuar pa asnjë arsye të fortë është 50 mijë lekë për çdo individ që nuk është aplikuar. Ne do të shohim arsyet. Do të aplikohen ato biznese që nuk kanë aplikuar për punonjësit e tyre pa asnjë arsye të fortë dhe po pengojnë shpërndarjen e kësaj ndihme nga qeveria”, deklaroi Ibrahimaj.