Plot 4 miliardë euro humbje llogariten në 5 ligat kryesore në Europë nga pandemia Covid-19. Një pjesë e tyre priten të rikuperohen, ndërsa Liga e Parë në Francë tashmë ka humbur nga 300 deri 400 milionë euro, kampionati që ka pësuar më pak humbje.
Premier League në total humb deri në 1 miliardë e 250 milionë euro. Nga këto, 170 deri 180 milionë euro janë nga biletat, 700-800 milionë nga e drejta televizive dhe rreth 300 milionë euro nga marketingu dhe komercialiteti. Nga këto humbjet nga biletat nuk rikuperohen dot, pasi ndeshjet do të luhen pa tifozë, por natyrisht humbje të konsiderueshme ka edhe në marketing.
E gjitha ajo që përpiqen të shpëtojnë ligat janë të ardhurat nga e drejta televizive, prandaj kërkojnë që gjithçka të mbyllet në fushën e lojës. La Liga mund të humbë deri në 950 milionë euro, ku e drejta televizive zë pjesën kryesore, me 500 deri 600 milionë euro, ndërsa duket se marketingu nuk është në nivelin e Premier League.
Çuditërisht, edhe pse me 18 skuadra, është Bundesliga në vend të tretë për nga humbjet. Prandaj gjermanët këmbëngulën fort, pasi do të humbisnin rreth 750 milionë euro, 400 milionë euro nga e drejta televizive, por marketingu në Bundesligë kalon La Liga-n dhe i afrohet Premier League.
Serie A do të humbiste 650 milionë euro nëse nuk do të rifillonte ose do të ndërpritej përsëri. Janë 450 milionë euro në lojë nga e drejta televizive, teksa në këtë pikë kalon Bundesligën. Bilanci i fundit tashmë do të bëhet në kur ligat të përfundojnë sezonin, në fushë apo tavolinë, mbetet ende për t’u parë.