Kryeministri Edi Rama nuk arriti mbrëmjen e së mërkurës të gjente një kompromis për reformën zgjedhore, me drejtuesit e opozitës parlamentare të cilët kundërshtojnë marrëveshjen e arritur mes socialistëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim javën e shkuar. Marrëveshja u arrit falë ndërmjetësimit të Ambasadës amerikane dhe Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë. Ajo u përshëndet mbrëmë dhe nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, në fjalën e tij gjatë prezantimit të raportit mbi liritë e besimit në botë.
Por miratimi i saj nuk mund të realizohet vetëm me votat e shumicës, duke qenë se kërkohen 3/5 e parlamentit. “Në Komisionin e Reformës zgjedhore do vendosim kushte në interes të asaj që kërkojnë shqiptarët, hapje të listës dhe administratë zgjedhore jo politike. Nuk do votojmë nëse nuk futen në raportin e Komisionit, kërkesat e 39 deputetëve të opozitës”, tha pas takimit kreu i grupit demokrat Myslim Murrizi.
Nga ana e tij, kryeministri Rama deklaroi se mirëkuptonte qëndrimin e deputetëve të opozitës parlamentare të cilët siç tha ai “gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë absolutisht të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit për parlamentin. Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme është se do të vazhdojmë të diskutojmë”.
Zoti Rama hodhi poshtë çdo mundësi që marrëveshja e arritur me opozitën jashtë parlamentare të mund të rishikohej. “Ne duam që opozita parlamentare të kuptojë që në atë marrëveshje ne jemi palë, që nuk jemi këtu për ta vënë në diskutim dhe për ta përmbysur, por për ta kaluar. Kuptohet që ne gjendemi midis dy zjarreve se nga njëra anë kemi këtë marrëveshje, dhe nga ana tjetër nevojën e votimit në parlament, që kërkon më shumë se votat që ne i disponojmë. Përveç këtyre të dyjave – shpjegoi më tej kryeministri – është dhe një diskutim legjitim që duhet bërë, sepse dhe opinion publik, në shumicë ka një qasje që mbrohet nga këta përfaqësues që janë këtu, lidhur me të drejtën për të patur një votë preferenciale, që është shumë e diskutueshme, por është kjo që është”.
Zoti Rama ju kundërpërgjigj akuzave të formuluara nga përfaqësuesit e opozitës parlamentare për përpjekje për trafikim të votave, ndërsa vuri në dukje dhe një herë se marrëveshja e arritur me PD-në dhe LSI-në, nuk është ajo që PS-ja do të kishte dashur “Nuk preferoj të zgjedh një rrugë që do deformojë gjithë procesin e jetës normale parlamentare. Ka mundësi për të gjetur rrugën e arsyes. Duhet durim, punë bindëse, dëgjim i vëmendshëm. Do përpiqemi të gjejmë një zgjidhje me dinjitet”, u shpreh kryeministri, duke kërkuar që në këtë proces diskutimi të përfshihej dhe kryetari demokrat Lulzim Basha.” Eshtë koha që të bëjmë një sforco të gjithë, dhe unë. E mbase do ishte e udhës që dhe Lulzim Basha ta konsideronte që të futej në këtë proces e të bënte një komunikim dhe ai me ata që ai i ka sjellë këtu parlament, se nuk është mëkat e kështu të bashkojmë forcat për të gjetur një rrugë të arsyeshme për t’i dhënë zgjidhje një situate që nuk është absolutisht e lehtë siç duket”.
Kalimi në parlament i marrëveshjes po duket të jetë një rrugë e përpjetë, ndërsa firmosja e saj u vlerësua si një “sukses politik”, dhe u përshëndet nga faktori ndërkombëtar. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shprehu mbrëmë gjithashtu mbështetje. “Unë mirëpres marrëveshjen ndërpartiake të Shqipërisë për reformën zgjedhore, e cila do të forcojë demokracinë e saj dhe do të forcojë më tej të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ne inkurajojmë të gjithë palët e interesuara ta kthejnë në ligj këtë marrëveshje politike”, deklaroi Sekretari Pompeo në konferencën me gazetarët në Uashington, duke preznatuar gjetjet e raportit të përvitshëm mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë. VOA