MENU
klinika

Ja reagimi i plotë

Protesta e maturantëve, Besa e gjen fajtorin: Është opozita

12.06.2020 - 15:01

Ministrja e Arsimit Besa Shahini, është e çuditur se si maturantët janë duke  protestuar tek zyra e saj për shkak të provimeve.

Besa duket se ka harruar që maturantët për 3 muaj nuk kanë qenë në shkolla dhe nuk kanë mësuar ashtu siç duhet, por kanë marrë leksione online.

E nisur nga kjo, duket se ministria nuk e ka vrarë shumë mendje që të bëjnë teza sipas situatës, por kanë dhënë tezat sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

E pikërisht për këtë arsye, maturantët sot janë duke protestuar.

Por ministrja e Arsimit, Besa Shahini mendon se është opozita fajtore e këtyre protestave, pasi janë ata që inkurajojnë maturantët.

Ja reagimi i plotë i ministres Besa Shahini:

Ndoqa me keqardhje protestën pranë ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nuk besoj të ketë ndodhur ndokund tjetër që nxënësit të protestojnë për “provimet e vështira”! Megjithatë, keqardhja për nxënësit “protestues” më vjen bashkë me revoltën ndaj nxitësve të tyre! Fatkeqësisht, nxitësit janë publikisht të afishuar dhe nuk janë zëdhënës opinionesh dosido. Ata janë opozita politike e vendit! Që është një absurditet unik: opozita nxit dhe mbështet protestë kundër testeve kombëtare!!! Opozita stimulon “lehtësimin” e dhënies së notave për nxënësit!!! Po mbase këtu s’ka asgjë të re, përderisa kjo opozitë ishte dje qeveria e notave fallco, diplomave fallco, universiteteve fallco, provimeve fallco, promovimeve fallco…

Provimet Kombëtare hartohen nga ekspertë provimesh. Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternativa – PA TEMAT që janë zhvilluar në kushte shtëpie. Dhe kjo, vërtetohet lehtësisht në fund, kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë se sa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA BËN RISHPËRNDARJE TË PESHËS SË PIKËVE PËR ÇDO NOTË. Por, këto çështje teknike s’kanë as lidhje e as vend për debate politike dhe jo më për protesta opozitare.

QSHA ka adresuar kërkesat në lidhje me provimet e maturës që ishin protokolluar në Ministri. Ndërkohë, ne do të kallëzojmë çdo shpifje që opozita ka publikuar në lidhje me maturën sivjet. Besoj se edhe kjo do të shërbejë në edukimin e të rinjve, duke nisur nga të rinjtë e forumeve politike, për të mësuar se shpifja është gënjeshtër e dënueshme me ligj e jo liri fjale për çfarëdo kundërshtie qytetare apo opozitare.