MENU
klinika

Sot publikohen përgjigjet e testit

Kryetarja e Komitetit të Maturës: Do rishikohet nota!

14.06.2020 - 11:51

Teksa maturantët po zhvillojnë protestën para Ministrisë së Arsimit, ka ardhur dhe reagimi i kryetares së Komitetit të Maturës Shtetërore Zamira Gjini.

Përmes një deklarate, ajo tha se do të rishihet mënyra shpërndarjes së notave sipas pikëve të marra nga maturantët në test.

Gjini informoi se Qendra e Shërbimeve Arsimore do të publikojë që sot testin e plotë dhe për çdo pyetje përgjigjen e saktë, në mënyrë që çdo maturant duke u konsultuar me to, të mund të bëjë një vetëvlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në test.

Gjithashtu sapo të dalin rezultatet, maturantët krahas notës së tyre do të kenë dhe variantin që kanë pasur në provim me alternativën e saktë.

Deklarata e plotë

”Komiteti i Maturës Shtetërore 2020 (KOMSH), që në ditën e parë pas provimit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve dhe të mësuesve të tyre, si dhe kërkesat adresuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke synuar mundësitë e zgjidhjes së tyre pa ndikuar në procesin e Maturës Shtetërore.

Në komunikim me mësues të gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) është gjykuar që të rishihet mënyra e shpërndarjes së notave sipas pikëve të marra nga maturantët në test, për të shmangur shqetësimin e maturantëve mbi notat e tyre, gjë që ka efekt të njëjtë për të gjithë ata. Kjo do të bëhet vetëm pasi të kemi rezultatin e pikëve të marra nga maturantët.

QSHA do të publikojë që sot testin e plotë dhe për çdo pyetje përgjigjen e saktë, në mënyrë që çdo maturant duke u konsultuar me to, të mund të bëjë një vetëvlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në test.

Menjëherë sapo të dalin rezultatet, maturantët krahas notës së tyre do të kenë dhe variantin që kanë pasur në provim me alternativën e saktë.

Maturantët duhet të jenë të qartë dhe të bindur se puna e tyre në tri vitet e gjimnazit, si dhe puna e mësuesve, do të vlerësohet me objektivitet, duke iu garantuar se personalizimi i testit nuk sjell asnjë ndikim në vlerësimin e tyre.

Duke vlerësuar çdo koment apo sugjerim të dhënë në këto ditë në media apo rrjete sociale nga ekspertë të fushës, si dhe nga mësuesit, të cilët njohin nga afër programin dhe nivelin e nxënësve të tyre, i ftojmë ata që sot në një tryezë për të diskutuar konkretisht mbi cilësinë e pyetjeve të testit dhe përputhjen e tyre me programet orientuese të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, ashtu siç ka garantuar QSHA-ja.

Nesër, maturantët kanë provimin e Matematikës dhe më pas atë me zgjedhje, për të cilët gjykuam dhe e shtuam orarin e provimit edhe me 30 minuta më shumë, meqenëse ata e kërkuan dhe ndjehen më mirë gjatë plotësimit të testit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Do rishihet mënyra e shpërndarjes së notave"

Ankesat e maturantëve, reagon Komiteti i Maturës Shtetërore 2020