MENU
klinika

Shuhet Moikom Zeqo

Shtegtoi… talenti i befasive të mëdha!

15.06.2020 - 07:08

        Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo. Ai ka ndërruar jetë sot në mëngjes, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova. Në Libohovë, ai morri edhe mësimet e para. Më 1967 nisi studimet pranë Fakultetit Histori- Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës, më 1971, në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974, punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76, punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik, pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë. Në qershor të virir 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të, të Partisë së Punës. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit, iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996-ën, si deputet i PS-së. Më 1997-2005, ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Është Doktor i Shkencave dhe mban urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.

Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë, me karakter arkeologjik e kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para, për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos, janë përkthyer në gjuhët: anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht, etj.
Është autor i tri ekspozitave vetjake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë, në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe asaj të huaj.

Moikom Zeqo është sot, një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe erudit, të një prej pionierëve të postmodernizmit në letrat shqipe.