MENU
klinika

Një gjë është e sigurt! Do përparojë shumë!

A do arrijë Inteligjenca Artificiale ta eliminojë njeriun?

15.06.2020 - 07:29

Robotët nuk ndiejnë dhimbje. E për këtë arsye ne mund t’i përdorim në situata ku njeriu do të rrezikonte që të dëmtohej, të provonte një lodhje tej normave apo të vdiste.

Me këto premisa, t’i bësh këto makina të inteligjencës artificiale të aftë që të ndjejnë stimuj të dhimbshëm duket diçka e palogjikshme.

Por dy kërkues gjermanë po punojnë pikërisht në këtë drejtim.

Johannes Kuehn dhe Sami Haddadin të “Leibniz University” të Hanoverit po zhvillojnë një sistem nervor artificial që u lejon robotëve të perceptojnë dhimbjen, në formën e stimujve të presionit dhe temperaturës dhe të tërhiqen në vazhdim në mënyrë që të evitojnë dëme të mundshme në motor dhe në pajisjet elektronike.

Ashtu si njeriu, i cili duke ndierë dhimbje, reagon, edhe robotët mund të përfitojnë avantazhe nga ky kapacitet, por ekziston frika se perceptimi i gabuar i një rreziku nga ana e një makine mund të vendosë në rrezik jetën e njerëzve që operojnë në krah të tyre.

Ideja e robotëve të aftë për të reaguar në situata potencialisht të rrezikshme nuk është e re. Ajo ka nisur që të zhvillohet në dekadën e kaluar nga kërkues të Standford-it dhe të Universitetit “La Sapienza” në Romë.

Por projekti i Kuehn-it dhe Haddadin-it bazohet në ndjesi të prekshme precize dhe në kontaktin e drejtpërdrejtë me stimulin e dhimbshëm. Prototipi i zhvilluar nga të dy, shfrytëzon një sistem nervor robotik të frymëzuar nga struktura e lëkurës njerëzore, që transmeton informacionin e dhimbshëm në formë shkarkimesh të përsëritura në një qendër kontrolli. Kjo nga ana e vet, reagon duke klasifikuar stimulin në të lehtë, moderuar apo intensiv dhe në vazhdim roboti vepron.

Shkencëtarët kanë llogaritur se në dekadat e ardhshme lidhja midis njeriut dhe inteligjencës artificiale do të jetë shumë e fortë.

Shumë shkencëtarë ngrenë alarmin se robotët do tua marrin punët njerëzve, e kështu do të rrisin ndasitë mes shtresave shoqërore. Por jo vetëm kaq, ka nga ata që japin alarmin se inteligjenca artificiale do të përparojë aq shumë, sa dikur do arrijë ta eliminojë njeriun.