MENU
klinika

Zbardhet drafti final për strukturën e re të KQZ

PS-PD mbyllin këtë javë nenet për reformën zgjedhore

15.06.2020 - 07:37

Partia Socialiste edhe Partia Demokratike mbyllin këtë javë nenet për reformën zgjedhore. Sot pritet të bëhen gati propozimet e ekspertëve për çfarë është dakordësuar mbi reformën zgjedhore. Sakaq ditën e sotme do të mbahet edhe mbledhja e radhës e Këshillit Politik. Kjo pritet të japë bekimin, ndërsa drafti do të zhvendoset pak metra më tej, në Kryesinë e Kuvendit, për t’ia lënë radhën institucionit zyrtar, Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore.

Mbledhjet e gjata për reformën zgjedhore do të sjellin disa ndryshime në Kodin Zgjedhor, por edhe pse do të kemi një Kod të ri Zgjedhor, pritshmëritë e të gjitha palëve nuk u përmbushën. Ditën e djeshme kanë dalë në media dhe draftet e përfunduara, sidomos sa i takon përbërjes së KQZ. Amendamentet përcaktojnë se ankimimi i procesit do të bëhet në atë që do të quhet Kolegj Gjyqësor Zgjedhor, një institucion i ri që do këtë 8 gjyqtarë.

Ata do përzgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe duhet të kenë kaluar procesin e vetingut. Konstituimi i Këshillit do bëhet pas betimit të anëtarëve dhe thirret nga kreu i KLGJ. Sikurse ishte propozuar, gjyqtarët do jenë imune ndaj lëvizjes në detyrë, hetimit apo procedimit disiplinor. KQZ tanimë do jetë me tre nivele, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimeve. Komisioneri Zgjedhor do ketë mandat 7-vjeçar.

Ekspertët kanë rishikuar propozimin fillestar, duke propozuar që nënkomisioneri të ketë mandat 4-vjeçar dhe jo 7-vjeçar. Ai do ketë përgjegjësi për zbatimin e teknologjisë në zgjedhje dhe për këtë proces do ketë të njëjtat të drejta si Komisioneri. KAS, Komisioni Ankesave dhe Sanksioneve, ka të drejtë të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në një zonë, disa zona zgjedhore ose gjithë vendin.

Ndërsa në nenin 24 parashikohet votimi i emigrantëve. KQZ do jetë përgjegjëse për krijimin e kushteve për votën e emigrantëve. Ende nuk është gjetur dakordësim sa i përket kufizimit të së drejtës së kandidatëve apo partive për të realizuar me shpenzimet e tyre transportin e zgjedhësve në ditën e votimit.