MENU
klinika

Shumë tregtarë në prag falimentimi

Korona po shkakton trazira të mëdha në qendrat e qyteteve

16.06.2020 - 09:50

Zonat tregtare në qendrat e qyteteve gjermane po mbushen përsëri, por shumë tregtarë kanë frikë për ekzistencën e tyre. Kriza e Coronës po shkakton trazira të mëdha në qendrat e qyteteve.

Rrugët tregtare në qendrat e qyteteve gjermane po mbushen përsëri pas heqjes së masave të karantinës, por shumica e njerëzve vetëm sa kalojnë para vitrinave dhe nuk hyjnë për të blerë. Disa se nuk kanë qejf të përdorin maskat, të tjerë se ngurojnë të hyjnë në dyqane. Stefan Genth, kryetar i Shoqatës së Tregtisë Gjermane, HDE, thotë se për shkak të krizës së Coronës ka shumë pak klientë dhe shumë tregtarë gjenden para falimentimit.

Rreth një e treta e tregtarëve që tregtojnë mallra joushqimore kanë frikë për mbijetesën e tyre për shkak të pandemisë. 80 përqind e tregtarëve në përgjithësi janë pesimistë për të ardhmen e tyre. Sidomos të rrezikuara janë dyqanet e vogla që shesin dhurata, bizhuteri, lule apo veshje.

Frikë nga falimentimi

Hans Georg Reifenrath ka një dyqan dhuratash në Këln. “Ne sapo kemi bërë bilancin për gjashtëmujorin e parë,” thotë ai. Në krahasim me vitin 2019 biznesi i tij ka pasur 61 përqind më pak shitje. “Kjo është në thelb një goditje vdekjeprurëse. Gjashtë muaj humbje nuk mund t’i rikuperosh kaq lehtë.”

Sigurisht edhe ai aplikoi në shtet për ndihmën urgjente për bizneset e vogla. Por: “Ajo ishte vetëm sa për të mbuluar shpenzimet e qirasë”. Bizneset e vogla do ta kenë shumë më të vështirë ta kapërcejnë krizën sesa qendrat e mëdha tregtare, thotë Reifenrath, sepse dyqanet e vogla nuk kanë rezerva dhe nuk ofrojnë shitje përmes internetit.

Georg Reifenrath kërkon urgjentisht më shumë mbështetje nga shteti – si për shembull sipas modelit francez. Në Francë aktualisht ndërmarrjet e mesme që kanë probleme financiare nuk ka nevojë të paguajnë për qiranë, gazin dhe energjinë elektrike.

Ndryshime në qendrat e qyteteve

Shumë prej dyqaneve rrezikojnë të falimentojnë dhe kjo pritet të sjellë edhe ndryshime në qendrat e qyteteve gjermane ku gjenden zakonisht qendrat tregtare, plot dyqane të tjera si dhe zyra sipërmarrjesh të ndryshme.

Edhe kur kriza e Coronës të mbarojë, shumë tregtarë me pakicë do ta kenë të vështirë t’ia dalin mbanë në të ardhmen. “Tregtia në internet e cila shënoi rritje do të vazhdojë edhe më tej dhe për këtë arsye muajt e ardhshëm do të ketë rënie të shitjeve në qendrat tregtare”, tha urbanisti Thomas Krüger në një intervistë me tagesschau.de. Kjo do të sjellë me vete edhe mbylljet e tyre në qendrat e qyteteve. Por sipas Thomas Krüger nuk janë vetëm dyqanet që pritet të çojnë në ndryshime në qendrat urbane. Në qendrat e qyteteve kanë selitë dhe zyrat e tyre edhe shumë firma, institucione dhe sipërmarrje. Dhe për shkak se tani shumë vetë po punojnë nga shtëpia, pritet që të ketë ndryshime edhe në fushën e përdorimit të zyrave.

Megjithatë nuk pritet që qendrat e qyteteve të boshatisen. Sipas urbanistit Krüger rënia e qirave që mund të ndodhë si pasojë falimentimeve mund të çojë në modele të reja të shfrytëzimit të objekteve të ndërtimit, si koncepte për shfrytëzimin e tyre për gastronomi, art, për shitje dhe si zyra./DW

Sfidat që janë përballur dhe si ka përfituar ekonomia

Potenciali i rikthimit të emigrantëve, por a është gati Shqipëria?

“Do të rishihet mosha e daljes në pension”

Rama: Kur dhe sa do të rritet bonusi i fundvitit për të moshuarit

Autoriteti i Konkurrencës vendos nën monitorim tregun

Çfarë po ndodh me çmimin e bukës?

Tarifa marramendëse tregtie dhe “shumëfishimi” i Brexit

Evropa përgatitet për një epokë të re pas 5 nëntorit