I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell, tha të mërkurën se takimi i udhëheqësve të të dyja vendeve me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, “hap dyert për zhvillim ekonomik dhe investime”.
Në një deklaratë të shpërndarë nga ambasada amerikane në Prishtinë, ambasadori Grenell thekson se “Shtetet e Bashkuara shpresojnë që udhëheqësit në Kosovë e Serbi do ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të rifilluar bisedimet dhe për të filluar një epokë të re të qëndrueshmërisë dhe përparimit”.
Lajçak: E ardhmja evropiane vetëm përmes BE-së
Të hënën zoti Grenell ftoi të dyja vendet për një takim në Shtëpinë e Bardhë, ftesë që përkoi me ripërtëritjen e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për rifillimin e bisedimeve.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, tha të enjten se blloku 27 anëtarësh është partneri i vetëm që mund t’u ofrojë të ardhme evropiane të dyja vendeve.
“Kam dëgjuar për këtë nismë por nuk jemi konsultuar dhe nuk dua të komentoj nismat e të tjerëve. Mendoj se fola shumë qartë rreth rëndësisë së bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu dua të them se për ne Shtetet e Bashkuara janë partner shumë i rëndësishëm dhe se historia ka treguar që ne dalim shumë të suksesshëm kur punojmë si partnerë, në Ballkan posaçërisht. Qëllimi im është të vazhdojmë njësoj, por siç thashë Kosova është në Evropë dhe askush tjetër nuk mund të ofrojë të ardhmen evropiane për të përveç Bashkimit Evropian”, tha ai.
Zoti Lajcak, i cili i dha fund vizitës së tij në Prishtinë, ku qëndroi nga e marta, tha se javën tjetër do të shkojë në Beograd, ndërkaq pas asaj vizite do të vendoset data e takimit të radhës në mes Prishtinës e Beogradit në Bruksel.
“Mandati im është shumë i qartë, marrëveshja gjithëpërfshirëse e cila nënkupton zgjidhjen e të gjitha problemeve. Bisedimet kanë një histori prej dhjetë vjetësh, një numër marrëveshjesh janë zbatuar, disa janë nënshkruar dhe nuk janë zbatuar, prandaj ne duam në fund të këtij procesi të zgjidhim të gjitha çështjet. Dua ta sjell këtë proces në një përfundim të suksesshëm pa vonesa, po flas për një periudhë disa mujore nëse të dy palët janë të gatshme”.
Ndërmjet të dy nismave, asaj për takim në Shtëpinë e Bardhe dhe përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vëmendja në Kosovë por edhe në Serbi, është përqendruar në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet në Kosovë thonë se presin një proces që do të çojë në njohje të ndërsjellë, ndërsa Beogradi ngulë këmbë se nuk do të njohë pavarësinë e saj.
Javën tjetër kryeministri i Kosovës raporton në parlament për bisedimet
Në Prishtinë ende nuk ka bashkërendim ndërmjet pushtetit dhe opozitës lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë. Dy partitë më të mëdha opozitare, lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës bojkotuan sot një takim me partitë politike të thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti, me synim bashkërendimin e qëndrimeve para takimit në Washington.
Kryeministri Hoti tha se më 23 qershor do paraqitet në një seancë të posaçme për të raportuar mbi këtë çështje.
“Do të kërkoj formalisht në parlament themelimin e komisionit parlamentar për të mbikëqyrur procesin e dialogut. Edhe nga kjo paraqitje unë ftoj partitë opozitare që të marrin rolin e tyre mbikëqyrës në procesin e dialogut përmes forumit të liderëve të partive politike dhe pastaj në kuvend përmes komisionit parlamentar”.
Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve./VOA