Komisioni Evropian ka bërë një sqarim për Euronews Albania mbi debatin për numrin e kushteve para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Ana Pisonero, zëdhënësja e Komisionit Europian për Partneritet Ndërkombëtar, Fqinjësi dhe Zgjerim, iu përgjigj pyetjes së drejtuar nga korrespondenti i Euronews Albania, Ernest Bunguri.
“Përfundimet e Këshillit të Marsit kanë përcaktuar qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria para konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo lidhet me: miratimin e reformës zgjedhore; garantimi i financimit transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore; garantimi i vijimit të zbatimit të reformës në drejtësi”, thotë Pisonero në përgjigjen e saj.
“Shqipëria duhet gjithashtu të përforcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Keto nuk janë 15 kushte”, thuhet në deklaratën e dërguar nga zëdhënësja e KE.
“Përballja me fenomenin e aplikimeve të pabaza për azil, garantimi i riatdhesimit të tyre, si dhe ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ishin gjithashtu përparësi të rëndësishme”, thuhet në reagimin e Komisionit për pjesën e para-kushteve për konferencën e parë ndërqeveritare.
Ndërsa pjesa e tjetër e kërkesave lidhet me kuadrin negociues dhe nga vendi kërkohet që ato të plotësohen gjatë procesit të negociatave:
“Për më tej, përfundimet e Këshillit parashikojnë se Kuadri Negociues do të reflektojë një numër çështjesh që Shqipëria do të vijojë t’i adresojë në periudhën e ardhshme, dhe si pjesë e procesit të negociatave. Puna në këto fusha po vijon për momentin.
KE shpjegon për Euronews Albania se ç’duhet të përmbushë Shqipëria: “S’janë 15 kushte. Komisioni do të vijojë të monitorojë përparimin e vendit në të gjitha fushat dhe të mbështesë përpjekjet vijuese të Shqipërisë”, përfundon sqarimi i Komisionit.