MENU
klinika

"Kompromisi që duhet të bëjë Merkel"

Fondet për koronën, krerët e BE: Duhen ngritur ura të mëdha

20.06.2020 - 10:27

Ajo për të cilën janë të një mendimi krerët e BE është që të ketë një fond ndihmash për krizën e Coronës. Por grindja për detajet do të zhvendoset në korrik. Deri atëherë Angela Merkelit i duhet të kërkojë kompromise.

Në tërësi në BE ka një ujdi: duhet të ketë një fond ndihme për Coronën. Asnjë qeveri nuk e mohon se sa i thellë pritet të jetë recesioni i ardhshëm. Të premten u fol në një “atmosferë konstruktive”, siç u shpreh në një video kancelarja Merkel, por ka një sërë pyetjesh ende të hapura. “Urat që na duhet të ndërtojmë tani janë të mëdha.” Gjermania merr më 1 korrik presidencën e radhës në BE dhe me këtë edhe detyrën e rëndësishme të unifikojë interesat diverguese brenda BE.

Grindja përgjatë fronteve të njohura

Shumë vende pyetën, se mbi cilën bazë të dhënash do të shpërndahen ndihmat për vendet më të prekura. Edhe kjo nuk është e sigurtë, tha Merkel, nëse të dhënat e tregut të punës për vitet 2015-2019 janë baza e duhur. Duhen përfshirë edhe dëmet e drejtpërdrejta ekonomike të shkaktuara nga Corona, megjithëse ato për momentin nuk mund të verifikohen aq lehtë. Irlanda është një nga vendet që kërkon të marrë shumë ndihma. Sipas kreut të qeverisë irlandeze, Leo Varadkar ky vend është dëmtuar rëndë. Një shembull ky, se ka filluar ndërkohë lufta për shpërndarje fondesh në bazë kombëtare.

EU-Gipfel | Finanzhilfen Coronakrise | Paris (Reuters/E. Blondet)

Kancelari austriak nga ana e tij, Sebastian Kurz theksoi, se “ka një ujdi të mirë europiane”, veçanërisht me Holandën, Suedinë, Danimarkën. Me këtë ai theksoi edhe njëherë vendosmërinë e „katër kursimtarëve” për të dalë kundër pjesës tjetër në BE. Qeveritë e këtyre vendeve nuk duan grante për Coronën, por vetëm kredi. Ata venë në pikëpyetje edhe madhësinë e fondit prej 750 miliardë eurosh. “Tek këto pozicione nuk ka ndryshime”, tha Merkel.

Kompromisi i mundur

Megjithatë konsesusi është i dallueshëm, u shpreh kreu i Këshillit të BE, Charles Michel, edhe pse ai nuk i minimizon vështirësitë që ndodhen ende përpara. Michel duhet të përpiqet që në samitin e ardhshëm të ketë propozime konkrete. Në fund të korrikut apo në gusht, krerët e BE do të takohen sërish personalisht, pas disa muajsh takimesh me video-konferenca.

Deri atëherë Angela Merkel do të punojë me grupe të vogla, për të përafruar interesat e të gjitha vendeve. Se sa e vështirë ka për të qenë kjo, e tregon deklarata e kryeministrit suedez, Stefan Löfven pas samitit me video të premten. „Jemi shumë larg njëri-tjetrit. Në përgjithësi duhet të ketë përmirësime të mëdha, që të jenë ashtu si duhet fondi i ndihmës dhe buxheti i BE.”

Përplasjet bëhen më të vështira, sepse kësaj here duhet rënë dakord si për fondin e ndihmës edhe për buxhetin shtatë vjeçar të BE. Përkundër kryeministrit suedez, presidenti francez, Macron synon një plan ambicioz rindërtimi dhe i referohet propozimit gjermano-francez të majit, që me 500 miliardë euro është një çerek më pak, se plani i Komisionit Europian.

EU-Gipfel | Finanzhilfen Coronakrise | Paris | Emmauel Macron, Präsident (Reuters/E. Blondet)

Presioni i kohës

Ujdi ka mes vendeve kryesore të BE edhe për përdorimin e fondeve të ndihmës në projekte promjedisore e digjitale. Angela Merkel thekson gjithnjë, se paratë duhet të shpenzohen për aftësimin e BE në të ardhmen. Sidoqoftë jo për ulje tatimesh, paralajmërojnë vendet e veriut europian. Kurse ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio nga Lëvizja “Pesë Yjet” në koalicionin qeverisës kërkon që miliardat e BE të jepen më tej si ulje tatimore tek konsumatori italian.

„Gjermania kërkon një ujdi të shpejtë”, thekson kancelarja, sepse koha nuk pret. Nëse plani i borxheve të BE do duhet të miratohet nga parlamentet e vendeve anëtare deri në fund të vitit, atëherë kemi nevojë për një ujdi në verë, thotë kancelarja. Ndodhemi në një „situatë shumë, shumë të vështirë ekonomike”. BE duhet të përballet me sfidën më të madhe ekonomike të historisë së saj.

Merkel merr mbështetje nga drejtuesja e Bankës Qendrore Europiane Christine Lagarde. Ajo parashikon një „rënie dramatike” të ekonomisë europiane dhe kërkon nga BE që të dalë në krye të rimëkëmbjes ekonomike. BQE pret një rënie ekonomike këtë vit me afër 9%. Ndikimet e krizës ende nuk janë shfaqur në tërësinë e tyre, thotë Lagarde. Papunësia në BE mund të arrijë shifrën e 10% në muajt e ardhshëm. Prandaj ajo kërkon nga krerët e BE që të veprojnë shpejt. Ende ka qetësi në tregjet financiare, sepse ata presin një ndërhyrje të shpejtë të europianëve./DW