MENU
klinika

"Votoni platformën e unifikuar politike të partive shqiptare"

Zgjedhjet në Serbi/ Thaçi i bashkohet thirrjeve për Preshevën

20.06.2020 - 14:22

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është bashkuar thirrjeve të politikanëve shqiptarë për Luginën e Preshevës që nesër në zgjedhjet në Serbi të votojnë listën e unifikuar shqiptare.

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës janë bashkuar me një listë dhe Thaçi këtkon nga shqiptarët ta votojnë masivisht.

Thaçi thotë se vetëm në këtë mënyrë zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës mund të dëgjohet kudo.

STATUSI NGA HASHIM THAÇI

Jam i lumtur që i gjithë spektri politik shqiptar në Luginën e Preshevës është bashkuar dhe në procesin zgjedhor atje po garojnë me Listën e Përbashkët të Shqiptarëve.

Të gjithë bashkëkombësve shqiptarë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u bëj thirrje që të dalin masivisht në zgjedhjet e nesërme dhe të votojnë për platformën e unifikuar politike të partive shqiptare.

Duke qëndruar të bashkuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kombëtare, zëri i shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të dëgjohet kudo. Me vetëdije të lartë kombëtare dhe të bashkuar në përgjegjësi politike e forcojmë më shumë edhe kombin tonë. HTH