Këto ngjarjet e fundit në Mesdhe mes Turkisë e Greqisë janë fundi i nji detanti të pamundun. Por në nji kohë kur konflikti gjeopolitik për Mesdheun lindor po kreshpërohet në kulm, Shqipnia po bahet nji arenë ku kjo “luftë” bahet mes shërbimesh informative dhe lakejve të tyne shqiptarë: grekomanë e turkomanë.
Sa herë Turkija merr n’thue diku në Egje, shërbimet e saj aktivizohen n’Shqipni tu i instrumentalizue jo pak probleme që kemi me Greqinë. Kështu, nji kallabllak hesapesh të palame sakaq pushojnë së qeni shqiptare: ato bahen piketa turke që i shfrytëzon ato për diversion.
Por edhe Greqia duket se po ia kthen borxhin kokërr për kokërr falë agjentëve të saj. Ky rasti me dëmtimin e dy kolonave të nimfeut në Apoloni – bash në ditët e izolimit të plotë nga murtaja e kur me nder me thanë kryeministri strehohej në bunkerin e tij – të krijon sakaq bindjen se kush kanë qenë autorët.
Media greke sakaq i pushtoi headlines në botë me lajme të tipit “Vandals attack Ancient Greek site in Albania”. Tu e prek pikënisht ndjeshmëninë e publikut për atë që asht përnjime thesar botnor i kulturës – nji sit arkeologjik si Apolonia – gazetarë grekë e problematizuen për të satën herë çashtjen e pakicës ma të “persekutuem” në Evropë që po e vuen golgotën e saj.
Ky çatrafili në të majtë të fotos, Paul Antonopolous asht në krye të këtij agresioni kibernetik. Për ata që s’e njohin (shumica dmth), ky para dy vitesh ka qenë nji prej redaktorëve të “Al-Masdar News”, nji faqe që shtyn përpara interesat e Rusisë në Lindjen e Mesme. Përjashtohet nga bordi editorial kur zbulohet se Antonopolous kishte nji llogari aktive në forumin “Stormfront”, çka edhe shefat e tij rusë i vnoi në siklet.
Video-online, podcasta e përmbajtje agresive për “Vorio-Epirin” e leshit kanë gjithnjë autor Antonopolousin. Shihni “cicërimat” e tij në Twitter për Shqipnin’: nji agresion lufte kibernetike. Asgjëmangut!
Shoku jonë, Gent Cakaj, ma e pakta që mundet me ba asht qysh në kaftjall të mëngjesit me e blacklistue personin në fjalë. Nji non-grata e menjihershme – diçka që asht puna ma e lehtë në MPJ!