Partia Demokratike denoncoi të shtunën një rast papërgjegjshmërie të autoriteteve shëndetësore në Shkodër ku një i sëmurë me COVID-19 u mbajt 24 orë i shtruar në spital si pacient i rëndomtë duke rrezikuar infektimin e personelit dhe pacientëve të tjerë.
Përmes një postimi në Facebook, ish-deputeti Bardh Spahia, tha se rasti bënte fjalë për një 69-vjeçar nga Mjeda e Vaut të Dejës, të cilit autoritetet i ngatërruan rezultatet e analizave.
“Ai ishte paraqitur me shenja klinike të dyshuara si Covid në Shkodër, i ngatërrohet rezultati i tamponit dhe i thuhet se ka rezultuar negativ. Por gjatë qëndrimit në spital për të trajtuar simptomat që vijojnë akute, kuptojnë se është bërë ngatërresa në rezultat, dhe 69 vjecari ka qenë pozitiv. Këtu merr fund refuzimi për ta dërguar në Tiranë dhe sillet me urgjencë në orët e vona të mbrëmjes së kaluar (premtes) në Spitalin Infektiv,” – pretendon Spahia, i cili thekson se i sëmuri ka patur kontakt me familjarë, personel shëndetësor dhe pacientë të tjerë.
Gjatë së shtunës, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte në një inspektim në Spitalin e Durrësit, nga ku deklaroi se “është domosdoshmëri zbatimi rigoroz i protokolleve të sigurisë për kufizimin e përhapjes së COVID19”. Gjatë vizitës saj në spital, Manastirliu u shpreh se “po vijon fuqizimi i spitaleve në të gjithë vendin dhe i terapive intensive”.
Sidoqoftë opozita pretendon situata nuk është aq “në fuqizim” dhe se shumë qytetarëve u refuzohet testimi.
Ish-deputeti demokrat Spahia akuzoi autoritetet se analizojnë rastet e dyshimta për COVID-19, si “qoka” e kur ka raste konkrete “nuk kanë vëmendjen e duhur”.
Spahia thotë se rasti i fundit ka ndodhur në Tiranë, ku familjarët e një viktime të COVID-19 “u është refuzuar tesitmi”.
“I lënë njerëzit deri në ekstrem me përkeqësim të simptomave dhe fare pak shpresë mbetet pasi futen në frymëmarrje të drejtuar! Dhe numri i viktimave po rritet,” – akuzoi Spahia duke kujtuar propozimet e kahershme të opozitës për të rritur numrin e testimeve, sidomos ndër personelin shëndetësor.
Shqipëria ka vuajtur javën e fundit një rritje të frikshme të rasteve me COVID-19 ku 7 ditët e fundit janë diagnostikuar 427 të infektuar të tjerë.
Nga 1464 që ishte totali të shtunën e shkuar, datë 13 qershor, sot totali bën fjalë për 1891 të prekur.
Ndërkohë shqetësues është fakti se rritja e rasteve është shoqëruar me raste vdekjesh.
Shtatë persona ndër pacientët me COVID-19 vdiqën vetëm 4 ditët e fundit, teksa totali tashmë bën fjalë për 43 viktima të pandemisë./ EuronewsAlbania