MENU
klinika

Prodhimi i energjisë

KESH, 87 milionë euro të ardhura për 6-mujorin

06.10.2018 - 18:10

Situata e favorshme hidrike ka rritur prodhimin e energjisë në kaskadën e Drinit dhe ka përmirësuar ndjeshëm treguesit financiarë të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për këtë vit.

Të ardhurat e kompanisë për gjysmën e parë të vitit arritën në 10.9 miliardë lekë ose rreth 87 milionë euro, gati 50% më shumë krahasuar me të ardhurat totale të regjistruara gjatë vitit 2017.

Drejtori i përgjithshëm, Agron Hetoja, thotë se situata e përmirësuar financiare e ka ndihmuar KESH të ulë detyrimet ndaj tatimeve, palëve të treta, si edhe të paguajë dëmshpërbilimin për përmbytjet ndaj banorëve të qarkut Shkodër.

Ai shprehet se gjithashtu përfitimi i linjës së kredisë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do t’i mundësojë KESH ulje drastike të shpenzimeve për interesa, me një efekt që, vetëm për vitin 2018, arrin në 100 milionë lekë.

Kredia e BERZH u bë efektive që në Qershor 2016, dhe ka për qëllim kryesor rifinancimin e borxhit afatshkurtër të shoqërisë, duke e konvertuar me një kredi afatgjatë me afat 15 vjet dhe normë interesi EURIBOR +1%.

“Me plotësimin e kushteve për lëvrim, të cilat lidheshin me reformat e sektorit dhe shlyerjen e borxheve të ndërsjellta ndërmjet kompanive në sektor, u arrit që në Qershor 2018 të lëvrohej “kësti” i parë prej 116.8 milion EUR me të cilat janë mbyllur plotësisht tre linja overdrafti dhe është ulur limiti i dy linjave të tjera. Lëvrimi i këstit të parë të huasë i mundësoi KESH zvogëlimin e kostove të shërbimit të borxhit apo shpenzimeve për interesa. Vetëm për këtë vit, KESH zvogëlon shpenzimet për interesat e linjave të overdraftit me 100 milionë lekë. Në vitet vijuese, lëvrimi i huasë së BERZH jo vetëm që do të zvogëlojë shpenzimet e KESH për interesa me 50%, por do të reduktojë ndjeshëm presionin për likuiditete, si ndaj Korporatës ashtu dhe ndaj vetë garantorit, qeveria shqiptare, si rrjedhojë e shtrirjes në kohë të maturimit të borxhit. Në thelb të përpjekjeve për të menaxhuar në mënyrë sa më eficiente mjetet financiare, KESH ka synuar dhe vijon njëlloj, që të ulë normën e interesit të overdrafteve – portofolit të mbetur të tyre, i cili me negocimin më të fundit norma mesatare e interesit është ulur në 3% nga afro 5.15% që shënonte përpara vitit 2014,” thotë z.Hetoja.

Kësti i dytë i huasë së BERZH prej 100 milionë EUR parashikohet të disbursohet gjatë vitit 2019.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


4.32% në tremujorin II

Energjia mban lart rritjen ekonomike


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!