MENU
klinika

Dënohet shembja e teatrit dhe apelohet për mbylljen e “zgjedhores”

PE kritika të shumta për Shqipërinë, kërkohen hetime për dosjet “184” dhe “339”

23.06.2020 - 09:04

Parlamenti Europian ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të Shqipërisë në mbledhjen e djeshme, ku u diskutua situata në vendin tonë dhe plotësimi i kushteve për integrimin në Bashkimin Europian. Seanca në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian ka qenë mjaft e ndezur. Kjo seancë u thirr nga David McAllister teksa reporteri për Shqipërinë në PE, David Lega si dhe eurodeputeti Michael Gahler kanë deklaruan se pa u hetuar dhe luftuar krimi dhe korrupsioni, që janë 2 kushte të Shqipërisë për negociatat, atëherë Shqipëria s’ka për t’i hapur ato nëse nuk i përmbush kushtet para Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Gahler deklaroi se PE nuk ka ende informacion se çfarë po bëhet me hetimin e dosjeve për vjedhjen e votave. “Nuk po listoj të 15 kushtet, por po ndalem tek njëri prej tyre: tek ai që ka të bëjë me blerjen e votës dhe me manipulimin e votës. Ka dy çështje: dosja 184 ne Dibër dhe dosja 339 në Shijak. Ato po hetohen prej tre vjetësh, por nuk kemi akuza nga prokuroria, por vetëm lajme se po pengohet drejtësia. Kjo edhe mbasi zyrtare nga shtetet anëtare kanë apeluar që në këto raste të ketë hetim e përballje me gjykatën. A mendoni se do të kemi zhbllokim të këtyre dy rasteve kur të prezantoni Kuadrin Negociator? A ja keni bërë të qartë këtë kusht qeverisë, shoqërisë civile dhe publikut shqiptar”, tha ai.

Mbyllja e reformës zgjedhore

Por kritika të ashpra nga Parlamenti Europian në drejtim të qeverisë shqiptare pati edhe për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe përmbylljen sa më parë të reformës zgjedhore. Kryetari i Komisionit të Jashtëm më PE, politikani gjerman, David McAllister tha gjatë fjalës së tij se implementimi i reformës zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare të 2021 është një kusht kryesor për integrimin e vendit drejt BE. McAllister e vuri theksin edhe tek ngritja dhe funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Por edhe shkatërrimi i teatrit si një     trashëgimi kulturore ishte pjesë e kritikave të PE. “Më lejoni të hap diskutimin me marrëveshjen e vështirë mbi reformën zgjedhore mes partive politike në 5 qershor. Kolegë, reforma zgjedhore është një kusht kyç për hapjen e negociatave së bashku me implementimin e saj para zgjedhjeve të vitit 2021. Hapa të tjerë si funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Një pjesë e mirë e jona këtu në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë u shqetësuan nga metoda e përdorur në prishjen e Teatrit Kombëtar në 17 maj. Kjo u kritikua si shkatërrim i trashëgimisë europiane, duke i dhënë një goditje tjetër dialogut dhe kompromisit mes palëve. Në ripërsërisim thirrjen tonë që palët politike të punojnë bashkë dhe të lënë pas metodat e bojkotit për të forcuar rrugën e vendit në Bashkimin Europian”, tha McAllister.

Reagon Calavera

Ndërkohë që në fjalën e saj, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, shprehu keqardhje për shembjen e Teatrit Kombëtar pa pasur dialog. Ndërsa sa i përket reformës zgjedhore, Calavera, tha se Shqipëria duhet të vijojë më tej në dialogun për të çuar përpara reformën. Ajo u shpreh se ajo çfarë ka thënë ambasadori i BE-së në venin tonë Luigi Soreca në lidhje me reformë, është ajo çfarë Parlamenti Europian ka shprehur. ”Sa i përket shembjes së Teatrit Kombëtar, na vjen keq për atë akt dhe kërkuam që të kishte dialog. Ne vijojmë të bëjmë thirrje se duhet të ruhet trashëgimia kulturore, por gjithashtu duhet edhe të zbatohet ligji. Shqipëria duhet të avancojë edhe më tej në dialogun për të vijuar përpara me reformën zgjedhore. Ajo që shpreh delegacioni ynë në Tiranë është ajo që ne duam. Fjala e Sorecës për reformën zgjedhore është pikërisht ajo çfarë ne shprehim. Presim që të diskutojmë në Këshill përsa i përket këtyre pikave që Shqipëria duhet të përmbushë”, tha Calavera.