MENU
klinika

Integrimi i Shqipërisë në BE

Calavera: Nuk ka 15 kushte për hapjen e bisedimeve!

23.06.2020 - 10:04

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Bisedimet e Zgjerimit në Komisionin Europian, Genoveva Luiz Calavera deklaroi se nuk ka 15 kushte për të hapur bisedimet ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian nën drejtimin e kryetarit David McAllister, Calavera tha se “ne duhet t’i diferencojmë të 15 kushtet”.

“Të 15 kushte janë shumë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por unë mendoj se ne duhet t’i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve. Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushte të tjera që duhet të plotësohen në të ardhmen pas hapjes së këtyre bisedimeve”, tha Calavera.

Ajo theksoi se “të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare dhe që do të diskutohen me anëtarët e BE në Këshill”.

Gjithashtu, në fjalën e saj Calavera u ndal edhe te reforma në drejtësi duke nënvizuar se ka vijuar implementimi i kësaj reforme dhe i vetingut pavarësisht COVID-19.

”Procesi i vetingut”, tha ajo, ”ka pasur efekt pozitiv në sistemin e drejtësisë dhe ne presim me padurim të shikojmë rezultatet e tij”.

Calavera nënvizoi ndër të tjera se “çdo fond i BE në Shqipëri është kryer në mënyrë shumë transparente dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë si për fondet për tërmetin ashtu edhe për COVID-19”.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në KE i konsideroi impresionuese rezultatet në luftën kundër trafikimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike.