Partia progresiste serbe dhe lideri i saj Aleksander Vuçiç kanë realizuar fitore të bindshme në zgjedhjet parlamentare, por ajo është e përlyer meqë nuk është arritur me mjete demokratike, ka vlerësuar profesori në Universitetin john Hopkins në Uashington Daniel Serwer.
Ai ka thënë se e kupton bojkotimin e zgjedhjeve nga opozita serbe, sidomos për shkak të “mungesës së lirisë së mediave dhe gjyqësorit të pavarur”.
Serwer ka shtuar se nuk e di se si kushtet e zgjedhjeve kanë mundur të jenë më të mirë, sepse sipas tij Vuqiçi nuk ndjen kurrëfarë presioni që të ofrojë liri të mdeieve, ta bëjë gjyqësorin e pavarur apo të përmirësojë gjëra të tjera në Serbi.
“Bashkimi Evropian pjesërisht ka hequr dorë nga përgjegjësia e tij, amerikanët e mbështesin fuqishëm Vuqiçin dhe aspiratat e tij për territor ndaj Kosovës, kështu që nuk shoh se nga do të vinte ky presion”, ka thënë ai për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe.
I pyetur se a mendon se Vuqiçi do të arrijë marrëveshje për Kosovën, Serwer ka thënë se nuk është i sigurtë se këtë e di edhe vetë Vuçiçi, i cili “gjithmonë ka qenë i hapur në aspektin e asaj që dëshiron diçka për të arritur marrëveshjen, ndërsa bukur haptas ka bërë me dije se dëshiron një territor të caktuar brenda Kosovës”.
“Por, kjo nuk do të jetë e mundur, ndonjë marrëveshje reale për territorin e Kosovës, sepse Qeveria e Kosovës është kundër kësaj, Kuvendi dhe populli i Kosovës janë kundër kësaj si edhe serbët në jug të lumit Ibër. Nuk shoh se së shpejti do të arrihet marrëveshja mbi çështjen themelore të normalizimit të plotë, vënien e marrëdhënieve diplomatike, njohjen dhe hyrjen e Kosovës në OKB”, ka thënë Serwer.
Ai ka thënë se mund të mbështesë angazhimin e përfaqësuesit të Shtëpisë së bardhë për bisedimet e Kosovës e Serbisë Richard Grenell për marrëveshje ekonomike, në qoftë se, siç shtoi, vërtet është fjala.