Lulëzim Basha është rezultat i asaj hapje që Berisha i bëri PD-së në 2005 dhe për pasojë fitoi zgjedhjet. Berisha u ringrit dhe u bë Kryeministër i vendit në 2005 në një kohë, kur shumë kishin parashikuar dhe shpresuar vdekjen e tij politike pas ngjarjeve të ’97.
Berisha ndoqi dy strategji të cilat rezultuan të suksesshme:
1. Me një grup besnikësh edhe pse jo të mëdhenj në numër mbajti kauzat gjallë dhe shpirtin e protestës. Berisha nga 1999 ka protestuar vazhdimisht dhe pa u tërhequr në shesh dhe para Kryeministrisë derisa erdhi në pushtet në 2005. Kështu ringriti një kauzë, atë Opozitës dhe po ashtu shpëtoi PD-në nga zhdukja apo shuarja si forcë politike
2. Berisha ishte i vetëdijshëm se besnikët duheshin, por nuk mjaftonin për të fituar e për të qeverisur. Kështu hapi partinë për të rikthyer të larguarit, por edhe për të sjellë figura të reja të shkolluar kryesisht jashtë e kështu krijoi KOP që më vonë e deri më sot do të rezultonte brezi i dytë i PD-së. Në gjirin e KOP do të ishin emra të rëndësishëm për politikës në vitet në vazhdim duke përfshirë edhe vetë Bashën. Krijimi KOP mund të konsiderohet hapja e dytë dhe më e madhe e PD-së e kjo është bërë pikërisht nga Berisha, i cili për shkak të natyrës së tij dhe besimit tek vetja nuk kishte komplekse nga gara.
Më ardhjen e Bashës është shpresuar në fakt dhe të paktën nga të rinjtë pati një shpresë që PD-ja do të hapej më tej dhe do të bëhej një kantier i madh politik për të rinjtë e të rejat. Deri më sot nuk kemi asnjë fakt apo të dhënë për të besuar se kjo ka ndodhur ose është në pritje për të ndodhur. Në fakt me ardhjen e Bashës, PD ka njohur largime e tkurrje e nuk ka emra të rinj. Pra, Basha ka zero kontributë, të paktën deri tani në pasurimin e elitës politike të PD-së edhe ata pak të rinj që mund të trajtohen si prurje, në fakt janë pjesë e prurje të ndodhura në kohën që PD-në e drejtonte Berisha.
Shumë të rinj e të reja e sidomos qytetarët shpresojnë figura të reja në Politikë. Kush ka prirje e nevojë për prurje të reja? PS nuk ka nevojë e nuk do të ketë prurje të reja për të paktën në zgjedhjet e 2021. Edi Rama ka investuar dhe është identifikuar me qeverisjen e disa ministrave që nga 2013 e deri më sot e për pasojë edhe mandatin e tretë duhet ta kërkoj si një rikonfirmim të zgjedhjeve të tij të burimeve njerëzore, por edhe të qeverisjes që ka bërë me ta që nga 2013. Pra, Rama ka si aksion politik rikonfirmimin e diçka ekzistuese dhe jo fitoren me një alternativë të re e të ndryshme nga ajo që dimë dhe kemi parë. Kështu në këtë këndvështrim PD-ja dhe Basha janë e vetmja parti që duhet të fitojnë besimin me një alternativë të re, stil të ri e me njerëz të rinj, të ndryshëm nga e kaluara. Pra, Basha duhet të fitoj besimin dhe jo të siguroj rikonfirmimin
Berisha në “Cim Peka Live”, ndër të tjera theksoj se: “Basha është i rrethuar, por ka nevojë për një KOP”. Gjithashtu sipas Berishës duhet të rikthen ata që kanë kontribuar e kanë investuar në PD e po ashtu theksoj se në Diasporë ka elementë të shkelqyer që disa duan të kthehen e të kontribuojnë për Shqipërinë. Pra, për Berishën Diaspora duhet të jetë pjesë e PD-së dhe e listave si dhe pjesë e vendimmarrjes. Por si qëndron e vërteta?
E vërteta është larg dëshirës që ka Berisha për të ardhmen e PD-së! Nëse shikojmë me kujdes realitetin politik të PD-së në Diasporë, kuptojmë se ajo thuajse nuk ekziston fare, nuk ka struktura të ngritura e nuk ka figura të spikatura. Kjo në mënyrë të dëshpëruar krijon përshtypjen se Basha apo PD-ja nuk janë fare të interesuara për pjesëmarrjen e Diasporës në jetën politike të PD-së apo në vendimmarrjen e qeverisjes së vendit nesër. Në mënyrë të dhimbshme, por reale duket sikur PD-ja e ka shpërfillur Diasporën dhe e ka lënë në harresë. Hapja e PD-së dhe krijimi i një modeli të ri politik, por të ngjashëm në mision me ish KOP nuk mund të ndodh nëse PD-ja nuk krijon strukturat e saj politike në Diasporë e në të njëjtën kohë nëse nuk fillon menjëherë evidentimin e figurave, prezantimin e tyre me strukturat dhe forcimi i personalitetit të tyre në nivel publik.
Realisht PD është shumë e vonuar në këtë proces, por akoma është në kohë nëse e ka seriozisht qeverisjen e vendit me një alternativë të re, stil të ri e mbi të gjitha me një elitë politike të re e të besueshme.
Basha është ish KOP-i, por sot Shqipëria ka nevojë për një KOP të ri. Nëse Basha kërkon sot besimin e shqiptarëve, ai se pari duhet të besoj në djem e vajza të reja që mund e duhet të bëhen pjesë e elitës politike të PD dhe vendimmarrjes së qeverisjes së vendit ashtu siç besoj në 2005 Berisha tek ai e sot është përfaqësuesi i gjeneratës së dytë në PD.