MENU
klinika

Nga Petrit Zeneli

Sa e vështirë… të jesh apo të bëhesh korçar

23.06.2020 - 18:08

Nga Petrit Zeneli

As i ri dhe as i pleqërisë së thellë nuk është në moshë ky qytet magjik, diku aty “meso burrë”, por gjithmonë energjik dhe i freskët. Historia e tij si vendbanim shkon deri në lashtësi, por “masterin shkencor” qytet, e mori në shek e XV, nën drejtimin dhe investimin marramends të panaritasit filantrop Ilia Panariti (Iljas Bej Mirahori).

S’di pse vetvetiu kjo histori më ngjason me atë të Amerikës (SHBA) qoftë si kohë formësimi, qoftë nga të qenit multikulturor dhe etnisë përbërëse. Kjo për faktin se Korça u rrit nga zbritja graduale aty e të gjitha krahinave përreth. Gjithësesi, krahasimi mund të qëndrojë vetëm figurativisht në formë, jo në përmbajtje, pasi është më lehtë të bëhesh amerikan sesa korçar! Pse?! Sepse aty gjatë shekujve nuk ka zbritur kushdo për t’u bërë qytetar, përveç njerëzve të ditur, shumë punëtorë, ambiciozë, të aftë për të jetuar në komunitet me rregulla strikte, për t’u ballafaquar fort me kulturën e tjetrit, të përgatitur për t’i bërë sfidë konkurencës së egër të dijeve dhe tregut. Kështu, Korça është ngjizur nga mençuria, filantropia dhe zanatçinjtë vakëfllinj, energjia e pamatë punëtore e devollinjëve, urtësia dhe talenti vithkuqar, gjenia akademike e tregëtarëve voskopojarë, nikoqirllëku e sedra kolonjare, trimëria gorare, duarartët dhe këmbëngulësit oparakë, të gjithanshmit dhe të palodhurit fusharakë etj. E në këtë ambjent diamantësh cilësisht sipërorë, s’ishte e lehtë të fitoje titullin qytetar!

I drejtuar nga njerëz të ditur, të gjezdisur e me sqimë, shkolluar në perëndim e në lindje, aty rregulli, pastërtia dhe esnafëria imponoheshin me ligj, deri dhe me forcë. Çdo devijim të penalizonte shekujsh në opinion dhe të damkoste me lloj-lloj epitetesh e nofkash. Vetëm në Korçë sheh një urbanistikë të rregullt, me lagje në formë kuadratesh dhe rrugë të drejta, si një mini-Barcelonë, që gradualisht themeloi zonat e preferuara, klasat, elitën e qytetit. Kjo e ngriti stekën e kulturës dhe bëri ndarjen e punës mendore e drejtuese nga ajo e krahut.
Shpejt nga të ardhurit e lashtë fshatarë (sy çelët nga të parit botë), “u harrua” origjina e për rrjedhojë shtresa e lartë (borgjezkat e tipit Olimbi të karnavaleve) “s’duronin” dot më erën e djersës së punëtorëve; nga Korça doli shprehja “aga thesin” apo “aga i Mborjes. Pastërtia u kthye në mani, serenatat në simbol dashurie, trokitja e nallëneve në ritmin e jetës, veshjet për sebepe, për xhiro, për festa e për pazar, secila më vete, pjesë e detyrueshme e garderobës. Hendeku kulturor me fshatin korçar u thellua së tepërmi dhe ishte ëndërr e kujtdo të bëhej pjesë e qytetit. Djemtë e fshatit, edhe pse të bukur e të shkolluar, mallkonin veten pse ishin fshatarë kurse vajzat e fshatit s’linin gurë pa lëvizur të martoheshin në qytet. Sa për të kundërtën, siç thoshte i madhi Pandi Raidhi, qyteti ja donte prodhimet fshatit, por çupat nuk ja jepte për djemtë. Në Korçë gjen shprehjet e nofkat, “qyshër”, “fuçe”, Pe Babani”, “me sopatën e Dardharit”, “kokëoparaku”, mënë.. etj, etj, të cilat nuk fyejnë krahinat direkt, por godasin elemente negativë sporadikë tek-tuk, përzjerë me një humor të hollë e therës.


Dihet tashmë që klima e Korçës është me dimër të ashpër e të ftohtë, gjë e cila ka imponuar vendasit të sigurojnë gjatë verës zairetë e dimrit, por dhe t’i përdorin ato me nikoqirllëk, për të dalë me sukses deri në fund. Ka qenë ky shkaku besoj që u ka dalë nami si kurnacë, por në fakt s’është i vërtetë, as macen nuk e lidhin kur hanë bukë, se qen e mace të të bëjë perëndia e të të hedhë në Korçë, aq mirë të mbajnë! Kushtet ku jetojnë, por edhe mania për të pasur më shumë e të mos ja u kalojë njeri; sedra, egoja pozitive, pse ai të ketë e unë të mos kem; të kursyerit gojës që të zbukurojnë e mobilojnë shtëpinë, krenaria për të pritur sa më mirë mikun që të ruajnë nderin e Korçës e të fisit, kanë bërë që aty çdo gjë të bëhet me laps, se “jeta është llogari, Olimbi…!”. Ndoshta ajo shprehja e të jetuarit për sytë e botës aty ka mbirë, se…kush e di ç’thonë bota.. edhe pse…, le të thonë çfar’ të duan….!

Fundja dhe ndonjë të keqe nuk kanë parë nga ky koncept, përveçse ecje me vendosmëri në rrugën e zotit! Dyshimi për gjithçka dhe shmangia e çdo të papriture në jetë, shpiku edhe në Korçë fshehjen në oborr të floririt futur nëpër qypa e teneqe. Në Korçë të gjithë ja dinë fuqinë, rrogën dhe pasurinë njëri-tjetrit, sa, si, dhe ku e nxjerrin paranë. Edhe ndryshimi më i vogël në banesë apo veshje s’i shpëton syrit të askujt. Çelja e një vendi pune të ri në administratë, bëhet objekt diskutimi me javë në çdo familje, kush do e marrë (se në atë qytet ato janë të pakta). Përgojosja e çu-çu-çu-të nëpër dhëmbë s’kanë të sosur, me kë vajti, ku hyri e ku doli, kë takoi, çfarë i tha e çfarë më tha…më tepër për englendisje sofateve të portave dhe jo për të bërë keq.

Mender jush, edhe po i shpëtoi dikujt padashje në rrugën e Kolonjës, nga të ftohtit, në sekondë e merr vesh Dishnica e Çifligu. I keq ky ves, mund të thuhet! Po, i keq, por edhe një ambjent mbytës për këdo që shkel mbi moralin e shenjtë të këtij qyteti, që e ka patur pikë të dobët ruajtjen e emrit të mirë për vete dhe për vizitorët vendas e të huaj. Korça nuk matet me hijen e mengjesit, nuk pranon lëmoshë, e gjen punën dhe s’pret ta marrë kush përdore, s’njeh kthim mbrapa! Edhe kur të ardhurit e dekadave të fundit ja prishën ritmin, por jo traditën e qytetërimit, s’u ligështua. Këta, shumë shpejt u bënë pjesë integrale e saj; s’pati aty zaptim pronash me forcë e ndërtime pa lejë, si gjetkë. Gjithkush i bëri llogaritë mirë, para se të vinte atje, se s’bëhesh dot lehtë qytetar, jo për nga veshja, të ecurit, fjalori apo mënyra e të ushqyerit, por nga mentaliteti!


Natyrisht, arritja më e madhe e Korçës është harmonia mes komuniteteve të ndryshme fetare. I vështirë dhe delikat ky problem, dikur edhe sot, për shkak të paragjykimeve, hipokrizisë së dikujt, garës kush të dominojë qendrat urbane dhe postet e larta, presioneve të mëdha që ka ndjerë e ndjen nga jashtë etj! Shumë e shumë kohë më parë, ndodhi një përleshje e padëgjuar midis të krishterëve e myslimanëve (etiketuar padrejtësisht në grekë e turq), me gurë shkopinj e baltë, në të dy anët e lumit të Korçës, për një provokim ndaj myslimanëve me kokën e derrit në derë të xhamisë. Pati pasoja të tmerrshme ajo “betejë”, por shpejt u ndal dhe u nxor mësim i mirë, për të mos u përsëritur më kurrë! Merita është e të gjithë kësaj popullsie të civilzuar, por mbi të gjitha e drejtuesve (shtetërore e fetare) që sa kanë mundur e kanë mbajtur larg fenë nga politika. Vargjet e një kënge të vjetër “..Urë moj e zeza urë, kalojnë turq, kalojnë kaurë..etj, stigmatizonin ndarjen e thellë të asaj kohe, por fatmirësisht në Korçë ka patur e ka vetëm shqiptarë, atdhetarë model, që e kanë treguar veten në çdo udhëkryq të historisë!

Nuk është e lehtë të jesh korçar, as të behesh korçar (më lehtë të bëhesh amerikan), por të jesh korçar ndihesh krenar, siç ndihet kushdo që shkon atje për miqësi e turizëm! Personalisht ndihem dyfish i tillë, edhe për faktin se pjesa historike e saj (më e vjetra) banohet nga familje të mëdha vakëfllinjsh, që mbajnë mbiemrat e bukur të origjinës: “Trebicka”, “Katundi”, “Panariti”, “Grabocka”, “Treska”, “Stratobërdha”, “Shtylla”, “Lubonja” etj, shto dhe ata që kanë mbiemrat e gjysh-stërgjyshërve nga Vakëfet dhe kuptohet se ç’rol luajnë në këtë qytet elitë! Të dua Korça ime qytetare “kurnace”, “mëndjemadhe”, që edhe në ditët më të zeza, s’mbetesh pa miell në magje! Veç mos harro origjinën, ata që të themeluan, të dhanë famë, e me prodhime të freskëta të mbajnë!!

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!